Qeveria e re e Malit të Zi duhet të ketë 7-8 detyra të qarta, thotë Dritan Abazoviç në intervistë ekskluzive për DW. Ndër to janë vazhdimi i rrugës evropiane dhe përgatitjet për sezonin e ri turistik.

Shoqëria malazeze është ende e polarizuar, shprehet zëvendëskryeministri në mandatin e qeverisë së kaluar dhe kandidati kryesor për kryeministër të ardhshëm malazez.

Ai do të dëshironte që Mali i Zi të jetë plotësisht i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025.

Abazoviç vlerëson se në 14 muajt e qeverisjes së Zdravko Krivokapiçit janë iniciuar shumë gjëra pozitive, si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se aty janë arritur rezultate konkrete.

Ai thekson se ndryshimet në administratën publike janë një proces gradual dhe pohon se tashmë është shfaqur një “valë e re njerëzish”. “Ne jemi këtu për të treguar se kohezioni social është i mundur”, thotë Abazoviç, duke theksuar se do të bënte gjithçka për të parandaluar ekzistencën e “dy shteteve paralele në Mal të Zi”.

Akuzave se ai po punon në shërbim të disa faktorëve të huaj, “si për shembull, për Serbinë apo të tjerë”, iu përgjigj duke e cilësuar retorikë të atyre që pëlqejnë përçarjet në Mal të Zi.

Ai e sheh veten si një politikan që “doli nga klishetë e deritanishme”. “E mposhtëm Partinë Demokratike Socialiste (DPS) më 30 gusht” dhe tani “duhet të ndërtojmë institucionet e sistemit”.

DPS e ka “kopjuar” mënyrën e qeverisjes së saj në shumë institucione dhe kompani, e kjo tani është kapërcyer është koha për të dalë nga një “perceptim primitiv i realitetit politik”, thotë Abazoviç, duke theksuar vazhdimisht nevojën për “pajtimin e Malit të Zi”.

Top Channel