Rama po qeveris keq por është i pamundshëm, politikisht. Basha është gjithmonë vonë!

08/02/2022 18:33

Analisti Skënder Minxhozi ishte i ftuar në një lidhje live në emisionin ‘Top Talk’ për ditën e sotme, ku tema e diskutimit ishte rreth aktualitetit në vend, ku duket se protagonizmin e arenës dhe vëmendjes publike, po e merr Presidenti Ilir Meta me reagimet e tij, ndërsa brenda 30 ditëve pritet që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të këtij të fundit, si President i Republikës së Shqipërisë.

Minxhozi ka folur për qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se ka qenë më keq se sa mirë, pasi ka zgjedhur një kabinet ‘për të qarë hallin’.

Sipas analistit, Rama ka fokusuar pushtetin në duart e tij, ka drejtuar i vetëm shtetin dhe është i pamundur politikisht!

Pjesë nga biseda në studio:

Denis Dyrnjaja: Vendi po shkon keq e më keq në raportin opozitë-mazhorancë, vendi nuk ka oponencën e nevojshme dhe qeveria është komode në të gjithë qenien dhe rrugëtimin politik. Nuk dalin më nëpër debate, bëjnë deklarata që mund të mos lidhen fare me aktualitetin, sepse opozita është totalisht ‘e shpartalluar’.

Skënder Minxhozi: Si çdo qeveri tjetër edhe kjo po qeveris më shumë keq se sa mirë. Rama ka zgjedhur një kabinet që realisht është për të qarë hallin, duke zbritur nivelin nga mandati në mandat. Ka fokusuar gjithmonë e më tepër duart e tij në pushtet. Duke u sjell si një person orkestër, si një personazh që drejton i vetëm shtetin. E kuptojmë edhe cilësinë e lidershipit për pasojë. Qeveria po ndjek disa lloj politikash dhe po merr disa lloj vendimesh që nuk kanë oponencë përballë tyre dhe janë të marra në vakum dhe pa një palë tjetër që t’i vërë pikat mbi ‘i’ dhe ti thotë ndal se këtu po gabon. Vetë brenda PS niveli i atij që quhet debat demokratik mes strukturave, forumeve, personalitete nuk ekziston.

Denis Dyrnjaja: Rama po merr gjithmonë edhe më shumë pushtet. A i duhet Edi Ramës edhe Presidenti Meta dhe a do bëjë gabim nëse e merr?

Skënder Minxhozi: Edi Ramës nuk i duhet më shumë pushtet, nuk i duheshin 60 bashkitë dhe gjithë parlamenti, nuk i duhet edhe kaq sa ka sot, por 30 vite në këtë shtet ka pasur vetëm një President socialist dhe ky ka qen Rexhep Mejdani. Të gjithë Presidentët e tjerë përveç Ilir Metës, ose janë propozuar, ose kanë qenë pjesë e PD. Jam i bindur se Rama ashtu siç herën e fundit që iu paraqit Presidenca në dorë ja dha dikujt që nuk ishte socialist, por e luajti me bixhozin politik postin e Presidentit, duke hequr Metën nga fusha partiake dhe duke u futur në një institucion që në fund të 4 viteve prodhoi një LSI. Ashtu siç i dha gjysmën e qeverisë Bashës në prag të zgjedhjeve dhe nuk e pati problem. Ai mund ta bëjë diçka të tillë edhe tani, nëse do kishte një marrëveshje me të djathtën dhe nuk e dimë se çfarë mund të prodhojë, sepse ka shumë pushtet dhe nuk i duhet ky pushtet. Është provuar se Presidenti nëse është kundër qeverisë dhe parlamentit është humbësi i çfarëdo gare! Edi Ramës nuk do ti vinte keq t’ia jepte një faktori të tretë nëse do i bënte punë!

Top Channel