Ligjvënësit e bllokut të vogël E Zeza mbi të Bardhë, pjesë e koalicionit qeverisës, së bashku me votat e opozitës, shkarkuan kryetarin e parlamentit në Malin e Zi, Aleksa Beçiç.

Por duket se forcat në pushtet nuk janë të gatshme ta lëshojnë atë pa bërë rezistencë. Ato paralajmërojnë protesta të mëdha, e mes rreshtash nënkuptohen edhe trazira, nëse do të krijohet një ekzekutiv i ri me partinë opozitare DPS.

“Nëse mazhoranca bie, ne do të dalim nëpër rrugë. Nuk do ta lejojmë partinë e Gjukanoviçit të marrë pushtetin me korrupsion politik”, paralajmëroi deputeti Boris Bogdanoviç, i cili e akuzoi “E Zeza mbi të Bardhë” se tradhtoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020, të cilat përmbysën pikërisht DPS-në.

Beçiç është kryetar i partisë proserbe Demokratët, që formoi një shumicë parlamentare me partinë e Frontit Demokratik, po ashtu parti proserbe, dhe me Lëvizjen Qytetare URA pas zgjedhjeve të gushtit të vitit 2020, duke e rrëzuar Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit nga qëndrimi në pushtet prej 30 vitesh.

Nisma për largimin e Beçiçit dhe rënia e qeverisë, është rezultat i një krize disamujore në bashkëqeverisjen aktuale, e cila u përshkallëzua pasi Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviçit ishte e pakënaqur me punën e qeverisë për shkak të bllokadës së integrimit evropian, e ne 4 shkurt, parlamenti i Malit të Zi votoi për rrëzimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiç.

Top Channel