Shkarkimi i Presidentit/ Dervishaj: Kuvendi falsifikoi datën e urdhrit për thirrjen e seancës plenare për të plotësuar afatet

07/02/2022 17:54

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj këtë të hënë ka dhënë detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”, të kryera nga Kuvendi ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

Dervishaj thotë se Kuvendi ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, falsifikoi dokumentin për të plotësuar afatin 48 orësh që thotë rregullorja e Kuvendit se duhet plotësuar, për ta çuar në seancë plenare një vendimmarrje të komisioneve parlamentare.

Ai tregon se më 6 maj 2021 u firmos urdhri për thirrjen e seancës plenare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor. Që të thirrej në këtë datë duhet që raporti për këtë vendim të ishte miratuar 48 orë më parë, pra në datën 5 maj.

Kur na erdhi radha të bëjmë parashtrimet tona, Kuvendi e ndjeu veten të dobët dhe menjëherë aktivizohet të nesërmen me një shkresë. Shkelja apo manipulimi i parë, urdhri që Kuvendi i vendosi në 4 shkurt Gjykatën Kushtetuese. Si çdo urdhër ka të përcaktuar në pikën 20 rendin e ditës, ku përfshihet projekt-vendim për raportin dhe propozimin e komisionit për çështjet ligjore. Këto prova shtesa nuk ia kërkoi Kushtetuesja as Presidenca. Bëmë një krahasim të përmbajtjes së këtij urdhri me urdhrin që vetë Kuvendi ka depozituar në faqen e tij që prej majtit 2021. Nuk kemi më datën 05/05 por 06/05. A mos lidhet kjo me një nga shkeljet? Të gjitha dyshimet aty të çojnë”, tha ai.

Sipas tij mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021.

Dervishaj i cili publikoi edhe dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim thotë se këtë urdhër që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022, janë bërë disa ndryshime në thelb.

Të gjitha këto veprime të Kuvendit nuk ka sesi që kemi të bëjmë me një manipulim prove. Kuvendi kërkonte të justifikonte në Kushtetuese se Presidenti gaboi me pretendimet se ishin në shkelje të afateve për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe për miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve”, tha Dervishaj.

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.

Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës Taulant Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike e kushdo tjetër duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimet për rrëzime apo pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne kemi detyrimin që nga ky monument, që është mbyllur procesi, të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit, të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë Presidentin, partitë e kushdo tjetër, të ruajmë heshtjen institucionale, derisa Gjykata Kushtetuese, brenda afatit 30-ditor, të shprehet, me gjithë arsyetimin. Procesi ka qenë për t’u përshëndetur. Mendoj se çdo deklaratë e imja apo e palëve të tjera të përfshira në proces nuk do i bënte mirë procesit”, tha Balla.

Ndërsa menjëherë pas tij, Bledar Dervishaj u tha gazetarëve se Presidenti, Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Sot u mbyll seanca e iniciuar në mënyrë të padrejtë nga Kuvendi. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike, depozitoi prova të manipuluara vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë, imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organe të tjera. Presidenti ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë lidhur me këtë çështje. Ashtu sikundër është në të drejtën e Kuvendit që të fillojë një procedurë hetimore parlamentare për këtë fakt që ne evidentuam. Edhe e drejta e gjykatës të marrë një vendim, por që të jetë i bazuar në kushtetutë dhe ligj”, tha Dervishaj.

Mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe, duke shkuar më tej: nxitja e dhunës.

Përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga parlamenti i kaluar për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ata mendojnë se institucionit të Presidentit iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor dhe se ky komision i ngrit në shkelje të afateve ligjore.

Përfaqësuesit e kreut të shtetit, duke iu referuar Kushtetutës, nënvizuan se Kuvendi nuk mund të kryejë asnjë hetim parlamentar në katër muajt e fundit të mbarimit të mandatit.

Presidenca e nisi mbrojtjen duke kërkuar përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese me pretendimin se ishin në konflikt interesi dhe kushte papajtueshmërie për të vendosur në lidhje me këtë çështje. Një kërkesë e tillë u rrëzua si e pabazuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e tij para dhe gjatë fushatës elektorale, të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese e cila pritet të vendosi për fatin e Presidentit nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.

Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet.

Top Channel