Në prag të zgjedhjeve të 6 Marsit, Celibashi apel partive politike: Të pranojnë rezultatin…

07/02/2022 18:52

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ftuar në emisionin ‘Zona Zero’ në Top News ka ndarë detaje në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të zhvillohen më 6 Mars.

Nisur edhe nga situata aktuale që ka përfshirë partitë politike, Celibashi është shprehur se të gjithë janë dëshmitarë të realitetit, por shpreson që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga partitë politike.

Partitë duhet të respektojnë kodin zgjedhor dhe të gjitha normat e një gare të ndershme elektorale. Janë të detyruara t’i qëndrojnë germë për germë legjislacionit. Nuk e di, ne dhe sikurse më 25 prill i bëmë të gjitha përpjekjet dhe shpresojmë që rezultati të pranohet. Jemi dëshmitarë të realitetit që jetojmë dhe do të shohim se si do shkojë. Zgjedhjet duhet të pranohen dhe nga humbësit”, tha Celibashi.

Celibashi gjithashtu ritheksoi se është rënë dakord që në Vorë të votohet në mënyrë elektronike dhe se po punohet që rezultati të shpallet 30 minuta pas mbylljes së qendrave të votimit.

Ndër të tjera, kreu i KQZ u shpreh se ka nisur asgjësimi i të dhënave në pajisjen e identifikimit elektronik që u përdoren në zgjedhjet e 25 prillit. Kreu i KQZ-së tha se shpreson se ky proces do të përfundojë brenda 10 ditëve dhe tregoi se KQZ ka hartuar planin e punës për zgjedhjet e 2023.

Për sa i përket shtrirjes së votimit elektronik në të gjithë vendin për zgjedhjet e 2023, Celibashi ia kaloi përgjegjësinë qeverisë, si kompetente për këtë çështje.

Sipas tij, ekziston probabiliteti që në zgjedhjet e ardhshme projekti të zgjerohet në 2 ose 3 bashki të tjera.

Mirëpo u shpreh i bindur se pavarësisht kostove të këtij projekti, votimi elektronik nuk është garanci për zgjidhjen e problemeve aktuale apo për rritjen e kredibilitetit.

Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.

Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.

Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.

Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.

Top Channel