Kushtetuesja u tërhoq për vendim/ Meta paralajmëron lëvizjen e radhës: Ky skandal i rëndë duhet të marrë përgjigje ligjore

07/02/2022 14:01

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta të hënën i ka kërkuar përfaqësuesve të tij ligjor të përgatisin menjëherë padinë për falsifikim të provave nga Kuvendi, të cilat sipas tij u depozituan në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese.

Në një shënim në Facebook, Meta e konsideroi një gjë të tillë si skandal të rëndë, i cili duhet të marrë menjëherë një përgjigje ligjore.

Ai nuk harroi të falënderojë për profesionalizmin e treguar dy përfaqësuesit e tij ligjor në Kushtetuese.

Sapo falënderova Bledin dhe Katrin, për përfaqësimin me dinjitet dhe profesionalizëm të Institucionit të Presidentit të Republikës. I kërkova të përgatisin menjëherë padinë për falsifikimin e provave nga Kuvendi, të depozituar në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese. Ky skandal shumë i rëndë, duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore! Takohemi shumë shpejt në një komunikim me mediat!”, shkruan Meta.

Këtë të hënë në Gjykatën Kushtetuese përfundoi shqyrtimi i seancës së kërkesës së parlamentit për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta. Trupa gjykuese pritet të shpallë vendimin brenda 30 ditëve.

Në përfundim të seancës, kreu i deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se partitë duhet të lenë drejtësinë të vendosë dhe të mos komentojnë.

Ndërsa këshilltari i kreut të shtetit, Bledar Dervishaj deklaroi se Parlamenti, përveçse ka marrë vendime të paligjshme, ka sjellë në gjykatë akte ligjore të manipuluara.

Ai deklaroi se Presidenti do të padisë në Prokurori manipulimet e dokumenteve të Kuvendit.

Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese i dërgoi presidentit 70 pyetje, për të cilat kreu i shtetit i dha përgjigje.

Javën e shkuar Gjykata Kushtetuese nisi procesin e gjykimit të vendimit të parlamentit për shkarkimin e presidentit Iliri Meta me një seancë publike dhe praninë e të dyja palëve: Parlamentit dhe Presidencës.

Më 3 shkurt, Presidenca paraqiti një dokument prej 140 faqesh, ku vihej në pikëpyetje legjitimiteti i Kuvendit që votoi pro shkarkimit të presidentit, ndërsa mazhoranca socialiste u akuzua për hakmarrje politike.

Top Channel