Hila në ‘Open’: Gafën më të madhe Meta e ka bërë me ambasadoren amerikane

07/02/2022 22:40

Analisti Dritan Hila ka quajtur gafë më të rëndë se sa gjuha e përdorur nga ana e Presidentit Ilir Meta, prishjen e marrëdhënieve diplomatike.

Sipas Hilës, Meta është sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me ambasadoren amerikane.

“Është sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me ambasadoren amerikane. Është më e rëndë se thirrja për dhunë.

Kjo prishje e marrëdhënies diplomatike është gafa më e madhe që ka bërë ky fushatën e zgjedhjeve,” tha Hila në Open.

Kujtojmë se, Presidenti Ilir Meta, e sosi qetësinë dhe dashurinë me SHBA, duke u vendosur publikisht, në një kurs të fortë përplasje me ambasadoren Yuri Kim, njësoj si ish presidenti Sali Berisha në vitin 1997, me ambasadoren amerikane të kohës Marisa Lino.

Presidenti Meta, e ndaloi intervistën live asokohe, duke iu përgjigjur një SMS-je të ambasadores Yuri Kim.

I pari i shtetit nuk e lexoi përmbajtjen e mesazhit por ishte vetë ambasadorja amerikane ajo e cila e publikoi atë në Twitter.

“Është e papranueshme për gjithkënd për të kërcënuar se qytetarët duhet të marrin sfurqet më 25 Prill apo nëse ata nuk e pëlqejnë rezultatin e zgjedhjeve. Të tilla kërcënime meritojnë të dënohen. Ata të cilët iniciojnë dhunë do të mbahen përgjegjës për fjalët e tyre dhe veprimet. Stop”, shkruante ambasadorja.

Ky mesazh iu lexua presidentit Meta në studio dhe prodhoi një reagim shpërthyes në adresë të ambasadores Yuri Kim.

Presidenti Ilir Meta, e avancoi më tej qëndrimin e tij duke zbuluar një bisedë telefonike të mëparshme me ambasadoren Kim!

Top Channel