“E rëndë dhe kriminale”/ Meta: Nesër dorëzojmë padi! Kuvendi çoi në Kushtetuese dokumente false!

07/02/2022 20:01

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat pas daljes së përfaqësuesit të tij ligjor, Bledar Dervishaj tha se nesër do të dorëzojë padi, pasi Kuvendi çoi në Kushtetuese dokumente false.

Kreu i shtetit thekson se kemi të bëjmë me një falsifikim të shkresës nga Parlamenti, që sipas tij është një gjë e rëndë dhe kriminale.

Presidenti njoftoi se nesër në orën 09:00 do të publikojë përgjigjet e të 72 pyetjeve që i ka bërë Gjykata Kushtetuese dhe që i janë dërguar me shkrim nga ai.

“Nesër në orën 09:00 në faqen zyrtare të Presidentit do jenë të publikuara 72 pyetjet dhe përgjigjet. Do t’u përgjigjem disa prej tyre që besoj se kanë interes për ju. Veprimtaria ime ka qenë e qartë për të gjithë palët. Nuk kam mbështetur asnjë subjekt në zgjedhje.  Nesër ne do të dorëzojmë padi, pasi është gjë shumë e rëndë dhe kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit, Kuvendi të dorëzojë një provë gjoja të re, që është falsifikim për të justifikuar dhunimin e procedurave në këtë proces farsë që synon kapjen e institucionit të Presidentit”, tha Meta.

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj tha para Metës se Kuvendi falsifikoi datën e urdhrit për thirrjen e seancës plenare për të plotësuar afatet.

Dervishaj tha se Kuvendi shkeli në mënyrë flagrante ligjin, falsifikoi dokumentin për të plotësuar afatin 48 orësh që thotë rregullorja e Kuvendit se duhet plotësuar, për ta çuar në seancë plenare një vendimmarrje të komisioneve parlamentare.

Ai tregon se më 6 maj 2021 u firmos urdhri për thirrjen e seancës plenare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor. Që të thirrej në këtë datë duhet që raporti për këtë vendim të ishte miratuar 48 orë më parë, pra në datën 5 maj.

Sipas tij mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021.

Dervishaj i cili publikoi edhe dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim thotë se këtë urdhër që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022, janë bërë disa ndryshime në thelb.

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.

Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës Taulant Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike e kushdo tjetër duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimet për rrëzime apo pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne kemi detyrimin që nga ky monument, që është mbyllur procesi, të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit, të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë Presidentin, partitë e kushdo tjetër, të ruajmë heshtjen institucionale, derisa Gjykata Kushtetuese, brenda afatit 30-ditor, të shprehet, me gjithë arsyetimin. Procesi ka qenë për t’u përshëndetur. Mendoj se çdo deklaratë e imja apo e palëve të tjera të përfshira në proces nuk do i bënte mirë procesit”, tha Balla.

Ndërsa menjëherë pas tij, Bledar Dervishaj u tha gazetarëve se Presidenti, Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Sot u mbyll seanca e iniciuar në mënyrë të padrejtë nga Kuvendi. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike, depozitoi prova të manipuluara vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë, imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organe të tjera. Presidenti ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë lidhur me këtë çështje. Ashtu sikundër është në të drejtën e Kuvendit që të fillojë një procedurë hetimore parlamentare për këtë fakt që ne evidentuam. Edhe e drejta e gjykatës të marrë një vendim, por që të jetë i bazuar në kushtetutë dhe ligj”, tha Dervishaj.

Mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe, duke shkuar më tej: nxitja e dhunës.

Përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga parlamenti i kaluar për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ata mendojnë se institucionit të Presidentit iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor dhe se ky komision i ngrit në shkelje të afateve ligjore.

Përfaqësuesit e kreut të shtetit, duke iu referuar Kushtetutës, nënvizuan se Kuvendi nuk mund të kryejë asnjë hetim parlamentar në katër muajt e fundit të mbarimit të mandatit.

Presidenca e nisi mbrojtjen duke kërkuar përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese me pretendimin se ishin në konflikt interesi dhe kushte papajtueshmërie për të vendosur në lidhje me këtë çështje. Një kërkesë e tillë u rrëzua si e pabazuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e tij para dhe gjatë fushatës elektorale, të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese e cila pritet të vendosi për fatin e Presidentit nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.

Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet.

FOTO GALERI
1/19

Top Channel