“Shtëpia e Lirisë” ndez motorët e fushatës, Muka: Daullet dhe bravat janë e shkuara

06/02/2022 11:30

‘Komisioni i Rithemelimit’ ka nisur këtë të dielë fushatën në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Përballë demokratëve është prezantuar kandidati e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ për bashkinë Durrës, Ardin Muka.

Ky i fundit është shprehur se qyteti i Durrësit është keqpërdorur ndërsa nuk ka kursyer ironitë për kryetarin e PD, Lulzim Basha.

“Sot po fillojmë një mision dhe garë elektrorale, kjo është një garë politike dhe qytetarie. Politika ka nisur në Durrës dhe do mbarojë këtu për mua. Asnjëherë nuk kam pretenduar role dhe funksione jashtë Durrësit. Edhe pjesën e deputetit ma kanë ofruar, ju keni votuar dhe kam preferuar të isha drejtues për qytetin. Ju e shprehët me votën tuaj të lirë që qytetari që ka dalë nga ju ishte kandidati për bashkinë e Durrësit. Ky qytet është keqpërdorur, njerëzit nuk e kanë dashur kurrë pushtetin. Durrsakët janë njerëz me shpirt të madh.

Kjo sfidë ka qenë krenaria jonë por sot shteti na sheh nga lart poshtë, ata që morën pushtetin e bënë pronë të së keqes në Durrës. Daullet, dajret, apo bravat janë e shkuara që flet për një të ardhme imagjinare. Nëse na premtojnë të ardhmen kush do ta jetojë të tashmen? Ne nuk do ti shmangemi realitetit, ne do të kujdesemi që askush të mos ndjehet i përjashtuar nga vendimmarrja nesër. Ne nuk mund të lejojmë më që sëmundja e butë të pushtojë qytetin. Durrësine kanë përdorur për interesa mafioze. Ne më 6 mars do ja dalim që Durrësin do ja kthejmë qytetarëve”, u shpreh Muka.

Rikujtojmë se ish-Kryeministri Berisha do të hyjë në zgjedhjet e pjesshme vendore në koalicion me LSI-në, koalicion i cili ka marrë emrin “Shtëpia e Lirisë”. Kandidatët për 6 bashkitë ku do zhvillohen zgjedhjet e pjesshme u votuan në Primaret e mbajtura në këto 6 bashki, të cilat i organizoi Komisioni i Rithemelimit.

Duke qenë se Komisioni i Rithemelimit nuk është ende një parti, Berisha vendosi të regjistrohej në këto zgjedhje të 6 marsit si koalicion me LSI-në.

Top Channel