“Qeveria kërcënoi kafshatën e 12 mijë familjeve…”, Berisha: Rritja e çmimit të naftës vjen për shkak të qeverisë

06/02/2022 12:45

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhej në Sukth këtë të dielë, ku prezantoi kandidatin për kryetar të Bashkisë Durrës, Ardian Muka.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se rritja e çmimit të naftës nuk ka ardhur për shkak të bursës, por për shkak të qeverisë.

“Rritja e çmimit të naftës, nuk vjen për shkak të bursës por për shkak të qeverisë. Në vitin 2008 nafta ka kushtuar 115 dollarë fuqia. Sot nafta është 80-90 dollarë fuqia. Sot nafta është shumë më e lartë se atëherë. Sot naftën e marrim 3 herë më të lartë se në bursë. Këtu vjedhja shtrihet mbi ju, si një vello e zezë, që nxin çdo ditë e më shumë të ardhmen tonë dhe kjo është vjedhje e organizuar nga qeveria e qeveritarët. Ju e dini se çfarë është borxhi dhe sa siklete të krijon deri sa ta shlyesh. Çfarë po ndodh në Shqipëri. Borxhi ka arritur në 103 për qind të prodhimit të brendshëm të vendit. Çfarë u bë me këtë borxh? Asgjë, sipas KLSH-së u vodhën 8 miliardë euro. Varfëria ekstreme u katërfishua”, tha Berisha.

Berisha përmendi edhe portin, me projektin e të cilit sipas tij kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha për interesat e tyre, kërcënuan kafshatën e 12 mijë familjeve.

“Ambiciet e qeverisë për Durrësin tejkaluan çdo parashikim. Porti dhe qyteti janë si trupi me zemrën të lidhur me njëri-tjetrin, kurse kjo qeveri, në mënyrën më të papërgjegjshme, në një nga aferat më të mëdha korruptive në Evropë, duke kërcënuar kafshatën e 12 mijë familjeve, për ta shndërruar 800 mijë metra katrorë, në një zonë ndërtimesh. U tha për Omarin, po tani del për Edvinin dhe Lul Bravën, për larjen e parave të drogës”, tha ish kryeministri.

Top Channel