Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit Taulant Balla gjatë një takimi me banorët e Kolonjës në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, u shpreh se pas 102 vitesh nga Kongresi i Lushnjes, Bashkia e Lushnjes do të drejtohet nga një vajzë lushnjare, Eriselda Sefa.
Në fjalën e tij, Balla tha se nevoja e Partisë Socialiste është që të vijojë të qeverisë në qeverisjen vendore të Lushnjës, pasi kryeministri Rama në gjithë këto vite i ka dhënë shumë besim vajzave e grave në qeverisje.
Ai theksoi se në këto gjashtë muaj që Eriselda ka marrë drejtimin e bashkisë, janë dhënë shenja të qarta të një qasje shumë pozitive efikase në problematikat që kishte kjo bashki.
“Ju falënderoj për mbështetjen e bësimin. Të njëjtën gjë kemi marrë edhe me 25 prill. Ajo që dua të ndaj sot me ju, është nevoja që PS të vijojë të qeverisë në qeverisjen vendore të Lushnjës dhe Edi Rama në gjithë këto vite i ka dhënë shumë besim vajzave e grave në qeverisje. Dhe unë mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur, për ti besuar Eriselda Sefës. Në këto 6 muaj, që Eriselda ka marrë drejtimin e bashkisë, janë dhënë shenja të qarta të një qasje shumë pozitive efikase në problematikat që kishte kjo bashki”, tha ai.
Sipas tij, gjatë këtyre viteve është rritur transparenca, përmirësuar komunikimi me njerëzit, duke shtuar më tej se është vetë dëshmitar i shpejtësisë me të cilën socialistët kanë punuar në disa projekte të rëndësishme.
“Edhe në Kolonjë, një njësi e madhe, jemi defiçit në vonesat që na janë krijuar në qasjen që duhet të kemi ndaj bujqësisë. Unë nuk dua që të merrem me dy kandidatët që kemi përballë. Dua të merrem me kandidatët që i kanë vendosur ata. A mendon ndonjë prej jush që është koha sot t’i japim votën Sali Berishës dhe Ilir Metës, që mezi kemi pritur të bëheshin bashkë”, tha Balla.
Drejtuesi politik për qarkun Fier i bëri thirrje të gjithë socialistëve të Lushnjës që të dalin dhe të votojnë me datë 6 mars, pasi sipas tij, ata nuk duhet të mendojnë se kjo është një fitore e sigurtë.
“Unë mendoj që duhet të bëjmë organizimin më të madh, të trokasim në çdo derë, e t’i themi njerëzve se duhet një referendum i madh në favor të nevojave që ka Kolonja, bashkia Lushnjë dhe Shqipëria në funksion të mbështetjes që duhet t’i japim PS”, u shpreh ai.
Balla theksoi se PS ka përzgjedhur një kandidate që ka mësuar nga gabimet e atyre që kanë qenë në të shkuarën, por që ka edhe eksperiencën e duhur për të çuar para projektet e reja që po zbatohen në bashkinë e Lushnjës.
“Ka ardhur koha që qeveria ta ketë bashkinë Lushnjë në krye të punëve të veta. Është koha e duhur për t’i dhënë kësaj bashkie një vajzë, eksperte të qeverisjes vendore”, u shpreh Balla.
Top Channel