Numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga COVID-19 kapërceu 900,000, e pohuar nga Universiteti Johns Hopkins, e ky kapërcim i atribuohet pjesërisht variantit shumë ngjitës Omicron.
Një shifër e tillë shqetësuese vjen pas më shumë se 13 muajsh që kur filloi fushata e vaksinimit.
“Është një numër jashtëzakonisht i lartë. Po t’u kishe thënë shumicës së amerikanëve dy vjet më pare kur pandemia filloi se ajo do të shkaktonte vdekjen e 900,000 amerikanëve në vitet pasuese, mendoj se shumica e njerëzve nuk do ta kishin besuar,” thotë Dr. Ashish K. Jha, dekan i Fakultetit të Shëndetit Publik në Universitetin Brown.
Ai shtoi se është për të ardhur keq që shumica e vdekjeve kanë ndodhur pasi vaksinat e morën autorizimin.
“Ne dështuam në mënyrën se si t’i ndihmonim njerëzit të vaksinohen, të luftonim dezinformimin, të mos ta politizonim këtë çështje,” u shpreh Jha.
64% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, ose rreth 212 milionë amerikanë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Ekspertët parashikojnë që numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara të arrijë në1 milion deri në muajin prill.
Megjithatë rastet e reja ditore me COVID pothuajse janë përgjysmuar që nga mesi i janarit, kur arritën shifrën rekord prej më shumë se 800,000.
Top Channel