Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha, me të cilën firmosi një marrëveshje bashkëpunimi për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve pranë bashkisë.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të jetë një derë e hapur për studentët, sidomos këtë vit kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”:

 “Ne duam që bashkia e Tiranës të jetë edhe një mundësi integrimi për studentët. Shumë prej tyre vijnë nga qytete të tjera. Tirana është akoma në zhvillim e sipër. Do të donim që, duke pasur në krah Bashkinë e Tiranës, edhe integrimi i tyre në Tiranë, sot si studentë, po nesër si profesionistë, pastaj si familjarë, pastaj për një kredi të butë, pastaj për t’u martuar në tarracën e bashkisë, pastaj për çekun e bebes, e kështu me radhë – ta fillojnë këtë stacion të parë duke qenë studentë, të përfshirë në praktikat e Bashkisë së Tiranës”.

Kryebashkiaku tha se marrëveshja me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është një mundësi e re për studentët. Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha falenderoi bashkinë e Tiranës për firmosjen e marrëveshjes, të cilën e cilësoi  si faqe të re për studentët që duan të ndërtojnë jetën në kryeqytetin e Shqipërisë.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA