Burgosja e Tahirit, Rama: Nuk komentoj vendimin e gjykatave, e dija mjaft mirë se çfarë kam bërë kur udhëhoqa reformën në drejtësi

05/02/2022 12:06

Kryeministri Edi Rama të shtunën ka folur për herë të parë në publik për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, dikur “kampioni” i qeverisë së tij.

Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë është pyetur nga gazetarët për kryefjalën e 24 orëve të fundit, arrestimin e Tahirit, i cili qëndron në qelitë e burgut 313 për shpërdorim detyre.

Në fjalën e tij, Rama tha se nuk komenton asnjëherë vendimet e gjykatave, duke theksuar se ka qenë i vetëdijshëm atëherë kur ka vendosur të udhëheqë reformën në drejtësi.

Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave, e kam ditur mjaft mirë se çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi. 100 herë të kthehesha mbrapsht nuk do pendohesha”, tha kryeministri Rama.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të premten dha vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës parë, me ndryshimin që Tahiri do të vuajë në burg dënimin me 5 vite heqje lirie.

Për shkak të uljes së dënimi, Tahiri do të kalojë në burg 3 vite e 4 muaj. Ish-ministri në bazë të procedurës, vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu “313” në Tiranë.

Ish-ministrit Tahirit i lejohet të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi.

Sipas gjykatës, Tahiri me veprimet dhe mos veprimet e tij ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Ai akuzohej për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.

 

 

Top Channel