Inspektorati Policor i Kosovës kërkoi pezullimin e një kapiteni dhe dy efektivëve të policisë, të cilët ishin në detyrë në momentin kur i shumëkërkuari serb, Milan Radojçiç u largua “përpara hundës së tyre” në pikën kufitare të Bërnjakut.

Radojçiç u arratis në momentin që po kryheshin procedurat për verifikimin e dokumenteve. Ai ka dhënë prapa makinës e ka ikur, ndërsa dokumentet i mbetën zyrtarëve policorë.

Personi i kërkuar dyshohet se lëvizi makinën mbrapsht e u kthye sërish në drejtim të Serbisë. Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale  “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, po ndërmarrin të gjitha veprimet që do të cojnë drejt zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të lidhura me këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

Arratisja  nuk është filmuar as nga kamerat e sigurisë së pikës kufitare, të cilat duket se nuk funksiononin.

Radojcic u shpall në kërkim për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, liderit të Iniciativës qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), Oliver Ivanovic. Para disa javëve, SHBA e sanksionoi atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe.

Top Channel