Regjistrohet në zgjedhjet e 6 marsit koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’, debati mes përfaqësuesit ligjor të LSI dhe atij të PD

04/02/2022 13:40

KQZ miratoi ditën e sotme kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” si subjekt zgjedhor, ndërsa ka përjashtuar Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës, për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Celibashi argumentoi se kërkesa e LSI ka bazë ligjore dhe partia është e regjistruar si subjekt zgjedhor, ndërsa rrëzoi dy kërkesat e PD për mosregjistrimin e koalicionit.

Përfaqësuesi i PD-së dhe LSI-së janë përplasur në KQZ lidhur me kërkesën që ka depozituar për regjistrim.

PD kundërshtoi e para regjistrimin e koalicionit, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Marash Logu renditi në arsyetimin e tij dy elemente që nga ana ligjore e bënin të pamundur procedimin nga ana e KQZ për të regjistuar si koalicion “Shtëpia e lirisë”.

E para ishte se kërkesa për regjistrimin e koalicionit është bërë jashtë afateve, pasi LSI nuk e kishte fituar ende statusin subjekt zgjedhor në KQZ, ndërsa e dyta është se në marrëveshjen e koalicionit dhe në kërkesën për regjistrim, referenca për partinë drejtuese politike mund të bëhet me PD-në e drejtuar nga Lulzim Basha, në kohën që aty përmendet si parti “PDSH-Koalicioni i Rithemelimit”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i LSI, Kaziaj, tha se “Janë listuar të gjitha elementet e nevojshme që ligjvënësi kërkon për një koalicion, shkronja nistore, sigla dhe bashkëngjitur marrëveshja e përfaqësuesve te koalicionit”

Ai foli më shumë politikisht duke thënë me PD-në nuk kërkonte askush që të bënte koalicion, duke i kujtuar edhe Kuvendin e 18 dhjetorit me numrin e delegatëve.

Pjesë nga diskutimi:

Kaziaj: Marrëveshja e ka të qartë se për çfarë është bërë ky koalicion. E sjell në vëmendje që deklaratat e këtij karakteri, duhet të ketë interes vetë partia e tij. Nuk legjitimohesh nga kjo kërkesë. Dua të procedoni me regjistrimin e këtij koalicioni. Do ju këshilloja që të qëndroni tek argumenti juridik në këtë çështje.

Logu: Unë i bashkohem thirrjes suaj që të sillemi si përfaqësues ligjor. Nuk i bën nder zotit Kaziajt që të merret me numrin e karrigeve dhe dyerve. Përsa më takon, aq sa mundem do i referohem vetëm ligjit dhe kodit zgjedhor. Në momentin që është paraqitur kërkesa për regjistrimin e koalicionit, ata që janë pjesë e koalicionit, nuk ishin përcaktuar ende si subjekte zgjedhore. Për ne, në momentin kur është paraqitur kërkesa, nuk e kishin fituar statusin e subjektit zgjedhor. E dyta që është e mirë për PDSH-në, në marrëveshja ka një referencë të qartë të PD-së. Unë ju informoj që PDSH as nëpërmjet kryetarit të saj, as përfaqësuesve të saj, nuk ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e një koalicioni. T’i lëmë deklaratat politike.

Kaziaj: Nuk dakordësohem me zotin Logu, pasi përsëri bëri deklaratë politike. Ne jemi përfaqësues ligjor të disa subjekteve politike. Ju po bëni debatin e fokusuar në këtë seancë duke u kapur tek sigla apo shkronjat nistore të një subjekti që ne kemi futur në marrëdhënie koalicioni. Nuk është ky momenti për këtë debat. Ligjvënësi është i qartë në Kodin Zgjedhor.

Top Channel