Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së kupave për Turneun Sportiv Universitar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Fëmijët e Tiranës nuk mund të trajtohen si skllevër.
Erion Veliaj Kryetar i Bashkisë së Tiranës: Ashtu siç ka “fair play” në Komitetin Olimpik, në Federatën e Volejbollit dhe Basketbollit, në Federatën e Sporteve Universitare dhe Sporteve Shkollore, do të ketë “fair play” edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Nuk mund të ketë një ishull në Tiranë që është jashtë ligjit, jashtë auditit, jashtë kontrollit. Nuk mund të ketë vajza dhe djem të rinj, që prindërit i mbajnë me kaq shumë sakrifica, i çojnë nëpër kurse futbolli, dhe në fund të trajtohen si skllevër, ku një bandë në Shijak vendos se çuni kujt bën dhe çuni i kujt nuk bën.
Veliaj tha se në këtë betejë për një Shqipëri të ndershme janë 99% e shqiptarëve.
Erion Veliaj Kryetar i Bashkisë së Tiranës: Sa prej jush erdhën me “Bentley” këtu sot? Zero! Asnjë! Sa prej jush ishin me David Beckham në
“Wembley”, te boksi VIP? Zero! Asnjë! Pse një djalë dhe një vajzë e re nga Shqipëria, që punon, që mundohet, që prindërit sakrifikojnë, nuk i ka lukset e tilla? Por, po të jesh pjesë e bandës së Federatës je në majë të botës? Një Shqipëri ku 99% zbaton rregullat, luajnë “fair play”, dhe vetëm 1% shet ndeshjet, është në majë të charterit dhe “Bentley”-t, gëzon të gjitha të mirat materiale të një Federate, nuk është një Shqipëri e ndershme.
Top Channel