Sultan al-Samei, anëtar i këshillit politik të rebelëve Huthi në Jemen tha se “nuk tremben” nga vendimi i SHBA për të dërguar luftanije dhe avionë në rajon.
Dislokimi forcave amerikane në rajon vjen pas një serie sulmesh me raketa nga rebelët ndaj vendeve të pasura të Gjirit Persik. SHBA ka thënë se do të dërgojë luftanije dhe avionë gjuajtës pranë brigjeve të Jemenit “për të mbrojtur Emiratet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite”.
Zhvillimi vjen pas një telefonate mes sekretarit amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin dhe princit të Abu Dabi, Mohammed bin Zayed, njoftoi ambasada amerikane në EBA.
Emiratet e Bashkuara janë pjesë e koalicionit saudit që lufton rebelët Huthi në Jemen, të cilët mbështeten nga Irani. Si pjesë e marëveshjes luftanija raketore amerikane USS Cole do të bashkohet me marinën e Emirateve në portin e Abu Dhabi, bashkë me avionë shoqërues.
USS Cole, e cila është aktualisht në portin e Bahrain, është goditur më parë nga një bombë e Al-Qaeda në portin Jemenit të Aden në tetor 2000 ku u vranë 17 marinarë.
Top Channel