Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është thërritur në një interpelancë nga deputeti Kastriot Piroli për situatën në burgje në vend.
Manja ka folur për punën e bërë në këtë institucione duke përmendur operacionin e finalizuar së fundmi me 28 të ndaluar. Nga ana tjetër tha se ka nisur rritja e pagave të punonjësve të burgjeve.
Ai tha se burgjet janë të populluar në kapacitet 81%, pra jo në kapacitet të plotë. Sipas ministrit, punonjësit e policisë që ndodhen brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit nuk mund të mbajnë armë në brez duke theksuar se kjo bëhet për shkaqe sigurie.
“Në Bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Elbasanit kemi finalizuar një operacion të suksesshëm për goditjen e një grupi kriminal që merreshin me veprimtari kriminale brenda dhe jashtë sistemit të burgjeve. Janë arrestuar disa punonjës së policisë në burgje. Ajo që ndodhi dje ishte një punë e nisur prej nesh. Nuk do të jetë aksion, nuk do të jetë as kalendar veprimtarish, por do të jetë operacion i përditshëm. Tani që flasim, pas shumë kohësh, drejtoria e burgjeve është në riorganizim total. Duam të ristrukturojmë kualifikimin e karrierës në policinë e burgjeve. Në vitin 2018 qeveria ka filluar një reformë për policinë e burgjeve. Sot që flasim kanë dalë të gjitha aktet nënligjore dhe shumë shpejt do të miratohet rregullorja e burgjeve. Më 1 janar 2021 ka filluar rritja e pagës për çdo vit shërbimi, dhe nga korriku 2022 do të nisë rritja e pagës për sektorët e posaçme të punës. Sot që flasim nuk ka asnjë rast vonese të mos pagesës së orëve pas orarit. Nuk mund të lë pa përmendur trajtimin e bërë për stafin shëndetësor, pjesë e stafit të burgjeve. Kanë pasur rritje page në nivelin 47%. Paraqitja e jashtme është po aq e rëndësishme sa sjellja e komunikimi i policëve. Në 2019 policia e burgjeve është pajisur me uniformë.
Në Shqipëria gjatë kësaj kohe kemi pasur 2 ngjarje, pandeminë dhe tërmetin. Qeveria është detyruar të riorientojë fondet në sektorët më emergjentë. Drejtoria e Policisë ka lidhur kontrata me shoqëri transporti, për të garantuar lëvizjen e punonjësve. Nuk ka punonjës të rolit bazë të jetë emëruar 45 km nga vendbanimi. Nga kjo politikë e ndjekur janë trajtuar 140 punonjës të policisë së burgjeve. Kam kryer disa inspektime dhe jam i ndërgjegjshëm për mangësitë që kemi. Dua të përmend pa modesti se në nëntor të vitit të kaluar kemi mbyllur institucionin e Zeharisë.
Dua t’ju siguroj të nderuar kolegë se po përgatisim projekte për ndërhyrjet në të gjitha burgjet e vendit. Me fondet e rindërtimit do të nisë puna dhe do të kemi një institucion të ri në Shën Koll. Sipas ligjit, përfitohet një vakt për punonjësit që punojnë 8 orë dhe 3 vakte për punonjësit që janë në punë 24 orë. Ka pasur një shqetësim nga sindikatat për armët e zjarrit. Punonjësve të policisë i ndalohet mbajtja e armëve në këto institucione. Armët lejohen në rrethimin perimetrik dhe në ambientet jashtë burgut. Dokumentimi i armës do të sillte situata të pakëndshme. Në progres raport i është kushtuar vëmendje trajnimeve, e sipas progres raportit janë trajnuar mbi 1.400 staf në burgje, janë në fuqi 6 manuale në lidhje me programet rehabilituese. Aktualisht këto institucione janë 81% të populluara, 19% më pak se kapaciteti i tyre maksimal”, u shpreh Manja.
Top Channel