Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson paralajmëroi sot gjatë një bisede telefonike presidentin rus Vladimir Putin se çdo inkursion në Ukrainë do të ishte një llogaritje e gabuar tragjike, njoftoi zyra e Johnson.
“Gjatë bisedës me presidentin rus, kryeministri shprehu shqetësim të thellë për aktivitetin aktual armiqësor të Rusisë në kufirin ukrainas”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike, raporton Reuters.
Siç u tha, Johnson vuri në dukje nevojën për të gjetur një rrugë përpara që respekton integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën për vetëmbrojtje. Ai theksoi se çdo inkursion i mëtejshëm i Rusisë në territorin ukrainas do të ishte një llogaritje e gabuar tragjike.
“Udhëheqësit kanë rënë dakord se përkeqësimi nuk është në interesin e askujt. Kryeministri theksoi rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë, si dhe nevojën për përfshirjen e Ukrainës në negociata. Johnson dhe Putin mirëpritën komunikimin e fundit dypalësh për çështje të tilla si ndryshimet klimatike, Irani dhe Afganistani dhe ranë dakord të zbatojnë këtë frymë dialogu në tensionet aktuale në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje paqësore”, tha në një deklaratë zyra e kryeministrit britanik.
Johnson vizitoi Kievin një ditë më parë, ku diskutoi tensionet aktuale me Rusinë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe një deklaratë e përbashkët pas takimit paralajmëroi se çdo sulm rus ndaj Ukrainës do të ishte një gabim i madh, duke premtuar se të dy vendet do të punonin për aftësitë e mbrojtjes së Kievit.
Top Channel