Felaj i ndërpret fjalën Berishës në Kuvend: Po përpiqem t’ju dëgjoj, por nuk mund të vijoni

03/02/2022 11:46

Deputeti Sali Berisha ka marrë fjalën sapo ka mbërritur në Kuvend duke folur për protestën e banorëve të 5 majit dhe Laprakës për prishjen e banesave, por u ndërpre nga zv.kryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj.

Berisha tha se banorëve nuk i është dhënë asnjë kontratë apo marrëveshje, por vetëm vetëdeklarimi që sipas tij nuk ka asnjë vlerë. Ndërsa Felaj e ndërpreu duke i thënë që të mbajë fjalën për procedurë ose t’i lërë radhën deputetit tjetër.

Berisha: Qindra qytetarë protestuan këtu për orë të tëra sepse po i shkatërrojnë shtëpitë e tyre. Tani lexoj se kreu i Meduzës ka thënë se i kanë dhënë më shumë se i takon. I kanë dhënë gënjeshtrën, mashtrimin dhe kam këtu dokumentin që i kanë ofruar për firmë. Është thjesht vetëdeklarim dhe jo kontratë apo marrëveshje. Po është një vetëdeklarim. Mund të thoni ju se vetëdeklarimi është i domosdoshëm. Po, është por pa kontratën dhe marrëveshjen mes palëve, ka zero vlerë. Vetëdeklarimi është një mekanizëm i turpshëm mashtrimi që narkoqeveria i trajton si armiq, si të ishte qeveri pushtuese, duke dhunuar Kushtetutën, Kodin Civil. Kjo është e vërteta, nuk i ka ofruar asgjë mes mashtrimit. Janë me dhjetëra zona në Tiranë të zhvilluara nga ndërtuesit. Në asnjë rast nuk kemi parë protesta prej tyre.

Kanë qenë në plan për tu ndërtuar 7 katëshe ndërtesat e janë bërë 35 katëshe. Sërish nuk ngopen së vjedhuri ndaj qytetarëve. Ky është një akt i turpshëm, një akt që kreu i Meduzës dhe Lul Brava kanë bashkuar vjedhjet.

Felaj: Ju lutem mbani fjalën për procedurë. Po përpiqem t’ju dëgjoj me durim. Do e keni fjalën tuaj prandaj lini radhë kolegut tjetër.

Berisha: Si e shpjegon këtë?

Felaj: Nuk është çështje për procedurë. Ju nuk mund të vijoni. Edhe në respekt të çdo kolegu, është fjala për zotin Sula.

Berisha: Kjo është super procedurë.

Felaj: Të paktën për rregulloren e Kuvendit, duhet të kemi mirëkuptim dhe të respektojmë njëri-tjetrin.

Top Channel