“Berisha e ka fobi integrimin”, Balla-deputetëve të opozitës: Para se të flisni për marrëveshjen me Greqinë, fillojeni me një ndjesë

03/02/2022 12:19

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i është përgjigjur akuzave të opozitës për hapjen e pikës së përbashkët doganore me Greqinë.

Në foltoren e Kuvendit, Balla i tha deputetëve të opozitës së duhet të kërkojnë ndjesë për marrëveshjen që firmosën vetë në vitin 2009, sipas së cilës, thotë se Shqipëria do të kishte humbur mijëra metra katror det.

Nga ana tjetër thotë se duhet ta votojnë këtë marrëveshje e të mos mbajnë fjalime duke nisur nga Greqia për të përfunduar tek nafta e gjelat e detit. Nuk hezitoi të ironizonte Berishën duke thënë se anëtarësimi në BE i shkakton fobi.

“Mendoj që PD duhet ta votojë këtë marrëveshje. Nuk gjej lidhje mes votës pro marrëveshjes dhe argumenteve që ngrihen. Këto janë marrëveshje që edhe mes vendeve anëtare të BE, funksionojnë me qendra të tilla, që kanë të specifikuar qartë edhe arsyen pse ngrihen. Biem të gjithë dakord që krimi ndërkufitar është bërë i zbulueshëm dhe i ndëshkueshëm, nëse ngrihen qendra të tilla. Qendra do të funksionojë në doganën e Kakavijës. Në 30 vitet e fundit kemi pasur forma nga më të ndryshmet nëpër kufij, nga klandestinët te droga. Intensifikimi i komunikimit mes dy shteteve tona është diçka e dobishme.

Nuk e di ku e gjeti pathosin për t’u frymëzuar për fjalime që fillojnë te një marrëveshje shumë e mirë me Greqinë, t’ja fusni e të dilni te nafta, te gjelat e detit, e ku di unë. Ti z. Sula e ke votuar marrëveshjen e 2009, që e bëri Luli e Saliu, sepse ata i kanë bërë bashkë të gjitha pisllëqet.  Saliu është ‘non grata’, por pjesë është edhe Luli, se nuk mund të falet ai. Nuk është marrëveshja e 2009.

Nëse nuk do të kishte grupi i PS, për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese atë marrëveshje, Shqipëria do të kishte humbur mijëra metra katror det, për shkak të një marrëveshjeje të firmosur nga Saliu, Saliu rrinte lart, Luli poshtë. Kjo nuk është ajo marrëveshje. Përkundrazi, punonjës të policisë shqiptare e asaj greke do punojnë bashkë në luftën kundër trafikut. Kështu që ju lutem shumë bëjeni opozitën, kur keni argumente. Doni apo s’doni, Shqipëria do të ecë përpara në rrugën evropiane. 

Do vijë një moment kur do të anëtarësohemi në BE, apo në zonën Shengen, dhe s’do të ketë më kufij. Po negociojmë dhe hapësira të reja, që janë paradhoma në anëtarësimin në zonën Shengen. Unë e di që Sali Berishës këto i shkaktojnë fobi, hapja, integrimi në BE. Por ju të tjerët mendoj se nuk duhet të lidhni marrëveshje, që i bëjnë mirë vendit. Ka mijëra shqiptarë që iu është refuzuar në mënyrë të padrejtë hyrja në tokën greke, për shkak të veprimeve, që mund të kenë qenë arbitrare në një moment. Kur bëhen punë të mira, të gjithë duhet t’i themi përgëzime qeverisë. Duhet të intensifikohet puna. Nëse keni ndonjë gjë për të thënë, sa herë ta merrni fjalën kur bie fjala për marrëveshjen me Greqinë, fillojeni me një ndjesë për marrëveshjen e 2009”, tha Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA