I pyetur në Prishtinë për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përfaqësuesi Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u tregua i qartë: Marrëveshjet e deritanishme, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen, tha ai.

Po në të njëjtën kohë, zyrtari i lartë amerikan e theksoi se nuk ka ardhur me ndonjë përshkrim sesi duhet të bëhet një gjë e tillë. Ne nuk imponojmë modele, ishte komenti i tij, ato le t`i propozojnë palët.

“Ne nuk kemi ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, po kërkojmë nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë që në korrik të vitit të kaluar, dhe cështja e Asociacionit shihet si shkak i bllokadës së bisedimeve nga pala serbe.

Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, apo ndonjë gjë që duket si Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.

Me këtë u pajtua dhe i dërguari i BE-së për  dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili tha se askush nuk dëshiron një Republikë Sërpska në Kosovë.

 

Top Channel