PS prezanton kandidaten për Bashkinë e Lushnjes/ Balla: Berisha dhe Basha janë bashkë, nuk i ndajnë zullumet që kanë bërë

02/02/2022 16:19

Partia Socialiste ka prezantuar këtë të mërkurë Eriselda Sefan si kandidate për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Lushnjës.

Lajmin e bëri të ditur Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla në mbledhjen e Asamblesë së kësaj partie në qytetin e Lushnjës. Ai u bëri thirrje anëtarëve të PS-së, por edhe qytetarëve të këtij qyteti se Eriselda Sefa ka nevojë për votëbesimin masiv të tyre me qëllim për të vazhduar punët e nisura dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve të pazgjidhura deri më tani.

Erdhi e mirëpritur kjo fushatë e pjesshme zgjedhore në Lushnjë. Them e mirëpritur sepse duhej miratimi i domosdoshëm i popullit të kësaj bashkie për ekipin që duhet të zbatojë shumë projekte dhe punë të mëdha në këtë bashki. Me Eriselda Sefa vetëm në pak javë startoi një qasje e re në administrimin e bashkisë. Eksperienca e saj prej 16 vitesh në qeverisjen vendore me fokus tek projektet me donatorët e huaj, e dhanë menjëherë efektin pozitiv, megjithë kohën e shkurtër”, deklaroi Balla.

Në fjalën e tij para socialistëve të Lushnjës, drejtuesi politik i këtij qarku deklaroi se PS në këto zgjedhje të pjesshme vendore nuk ka kundërshtarë, duke iu bërë thirrje atyre që mos të merren me kandidatët e opozitës, por të vazhdojnë takimet derë më derë me qytetarët e këtij qyteti.

Nuk ka socialistë dhe demokratë, por qytetarë të Lushnjës, ne nuk kemi kundërshtar në këto zgjedhje. Lëvizjen e Saliut dhe Ilirit me LSI-në, apo atë që ka mbetur nga partia e Lulit. Asnjë minutë të mos merremi me kandidatët e kundërshtarëve. Ne nuk kemi kohë të merremi me ta. Sapo kemi mbaruar një palë zgjedhje. Dua ta them troç, që Eriselda ka mbështetjen e plotë të Kryeministrit dhe qeverisë, për të çuar përpara projektet e qeverisë. Pas 11-12 muaj nga sot ne do kemi hyrë sërish në zgjedhje për bashkitë dhe këshillat bashkiak. Kontrata me qytetarët e Lushnjes do jetë 12 muaj, për të provuar se çfarë kemi bërë. Ajo që kemi bërë këto ditë dhe ato që do bëjmë, do jenë më të prekshme. Transformimi i Lushnjes ka nisur përpara disa vitesh, kur erdhi Rama në pushtet. Ju e mbani mend vrimën në ujë që bënë këta. Prandaj e kërkova këtë mbledhje të asamblesë së zgjeruar, me delegatët e kongresit, anëtarët e asamblesë kombëtare për të bërë gati makinerinë tonë komunikuese me njerëzit, për të shkuar derë më derë, pa bërë mitingje të mëdha. Do shkojmë derë më derë, grup banesash për të folur për gjithçka që ne po bëjmë”, tha Balla.

Për drejtuesin politik të Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Berisha dhe Basha, nuk mund të ndahen kurrë, pasi sipas tij, të gjitha zullumet në këto vite i kanë bërë bashkë.

Dua të flas pak për Këshillimin Kombëtar. Përmes kësaj nisme, kërkojmë mendimin e qytetarëve, për çështje që kanë ndikim të madh në qeveri. Nisma e nisur nga kryeministri, tregon një vetëdije të lartë demokratike. Pavarësisht se i kemi në Kuvend votat për të kaluar ligjet, ne përfshijmë qytetarët. Ne nuk bëmë aleancë me asnjë parti në këtë zgjedhje, dhe as nuk do të bëjmë. Saliu u bashkua me Ilirin. Luli nuk e di se me kë do bashkohet. Kush mendon se Luli dhe Saliu janë ndarë nga njëri-tjetri, e ka gabim pasi janë bashkë. 21 janarin e ka bashkë me Lulin, historinë e detit e ka bashkë me Lulin, Gërdecin Luli ishte ne qeveri. Çështja e 21 janarit nuk mund të mbyllet kurrë për asnjë prej tyre. Po ezaurojmë mandatin e tretë”,  tha Balla.

Top Channel