Maqedonia e Veriut ka regjistruar të mërkurën 26 viktima me koronavirus dhe 1,543 raste të reja, ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik.Rastet pozitive kanë pas testimit të 4,667 mostrave.

Shkalla e pozitivitetit nga testet e kryera është 33.01 për qind.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në 8,470 dhe mbi 80 për qind e tyre janë persona që nuk ishin të vaksinuar.

Sipas të dhënave të Institutit, janë shëruar 1,061 persona ndërsa rreth 14,300 raste janë aktive.

Sa i përket të infektuarve, numri më i madh i tyre, apo 784 raste, janë regjistruar në Shkup.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur për infektimin e rreth 400 nxënësve apo 0.15 për qind nga rreth 250.000 fëmijë sa ndjekin mësimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut.

Komisioni i Sëmundjeve Infektive, ka bërë të ditur se është duke planifikuar testimin e shpejtë të nxënësve nëpër shkolla që të ketë një pasqyrë mbi gjendjen epidemiologjike të nxënësve pas fillimit të gjysmëvjetorit të dytë me prani fizike.

Komisioni për Sëmundje Infektive i Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do ta ndryshojë protokollin e evidentimit të viktimave nga koronavirusi.

Në Maqedoninë e Veriut vazhdon edhe procesi i imunizimit të popullatës, por ende nuk ka arritur në 50 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Deri të mërkurën me nga dy doza janë vaksinuar 865,000 persona nga popullsia dy milionëshe.

Top Channel