
Nuk ka mundur të mbijetojë balena e vogël që kishte dalë në cekësirë në brigjet e Athinës pak ditë më parë.
Lajmi bëhet publik prej rojes bregdetare greke,e cila njoftoi se një patrullë e saj gjeti trupin e pa jetë të balenës në afërsi të ishulit Salamina,vetëm pak milje detare larg vendit që ajo kishte dalë fillimisht të cekëtirë.
Pavarësisht se asaj iu dha ndihma e parë dhe iu injektuan antibiotikë të fortë,nuk mundi të mbijetonte.Balena e vogël e llojit Zifios,kishte marrë plagë në nofullën e poshtme,ndoshta prej ndonjë helike të skafeve ose anijeve që lundronin në brigjet e Atikës.
Trupi i saj është rimorkiuar në stacionin e rojes bregdetare të Salaminës, dhe do të groposet në këtë ishull.
Historia e balenës së vogël sensibilizoi mbarë opinionin grek dhe jo pak banorë të kryeqytetit helen shkuan për ta parë atë në bregun e Alimos në Athinë.
Top Channel