Pentagoni ka shkurtuar kohën e gatishmërisë së trupave në përgjigje të zgjerimit të praninë ushtarake të Moskës në kufirin ukrainas.
Por një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes deklaroi se në Ukrainë nuk do të dislokohen ushtarë amerikanë, dhe nuk do të ketë një përballje mes tyre dhe forcave ruse. “Presidenti ka qenë shumë i qartë se nuk do të shohim trupa amerikane në terren në luftime me rusët në Ukrainë,” tha zëdhënësi John Kirby gjatë një konference për shtyp.
“Një opsion i tillë nuk është në tryezë”, shtoi Kirby, sipas të cilit dislokimet do të synojnë të mbështesin “angazhimet shumë reale të sigurisë” së SHBA-së ndaj aleancës së NATO-s, një pakt ky i epokës së Luftës së Ftohtë që është zgjeruar në shumë vende të rreshtuara më parë me Bashkimin Sovjetik. Zëdhënësi shtoi se SHBA po i dërgon presidentit rus Vladimir Putin sinjale se kërcënimet ndaj aleancës nuk do të tolerohen. Me vendimin e fundit, koha e zhvendosjes së 8.500 trupave nga 10 ditë, shkon në pesë.
Nuk dihet ende se ku do të dislokohen ato saktësisht, por çdo lëvizje do të kryhet në bazë të konsultimeve të kujdesshme me aleatët e SHBA-së.
Kur u pyet nëse kishte ndonjë tregues të kërcënimeve ndaj anëtarëve të NATO-s, Kirby tha se grumbullimi i trupave ruse pranë kufirit ukrainas dhe atyre në tokën e aleatit të Moskës, Bjellorusisë ka qenë shqetësuese për aleatët e SHBA.
Ai gjithashtu theksoi se NATO nuk ka për qëllim “të frenojë apo ta kërcënojë Rusinë”.
Top Channel