Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur sanksione specifike kundër anëtarëve të elitës ruse dhe familjeve të tyre në rast se Rusia sulmon Ukrainën, tha sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Uashingtoni ka identifikuar “individë që i përkasin ose gravitojnë rrethit të parë rreth Kremlinit”, tha ajo, duke vënë në dukje se ata individë janë “objektivë veçanërisht të ndjeshëm” për sanksione për shkak të lidhjeve të tyre shumë të ngushta financiare me vendet perëndimore.
“Është vetëm një nga elementët në dëshirën tonë për të goditur Rusinë nga të gjitha këndvështrimet në rast se ajo sulmon Ukrainën, tha Psaki. Britania e Madhe, një nga destinacionet e preferuara të investimeve të oligarkëve rusë, njoftoi gjithashtu sot se po forcon arsenalin e saj të sanksioneve të mundshme kundër individëve ose kompanive ruse.
Uashingtoni prej disa ditësh po studion detajet e sanksioneve të mëdha që amerikanët po kërcënojnë t’i vendosin Rusisë në rast të një përshkallëzimi ushtarak. Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar tashmë se do të ndërpresin qasjen e bankave ruse në transaksionet me dollarë dhe do të ndalojnë shitjen e teknologjisë amerikane në Rusi.
Top Channel