Ligjet e Izraelit, politikat dhe praktikat e përdorura kundër palestinezëve në Izrael dhe në territoret e pushtuara, arrijnë në aparteid, thuhej sot në një raport të grupit të të drejtave Amnesty International.
Një raport i ri mbi situatën në konfliktin më të rëndë të Lindjes së Mesme, thuhet se “shteti ruan një regjim të institucionalizuar shtypjeje dhe dominimi ndaj popullatës palestineze, në përfitim të hebrejve izraelitë”.
Sistemi i aparteidit konsiderohet si krim kundër njerëzimit nga komuniteti ndërkombëtar.
Izraeli tha se “absolutisht refuzon të gjithë pretendimet e rreme” të raportit, shkruan rrjeti britanik BBC.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme izraelite akuzonte grupin Amnesty për riciklim të “të gënjeshtrave e pasaktësive të shpërndara nga organizata anti-izraelite”, thuhej në një deklaratë.
Ministria e jashtme palestineze mirëpriti raportin, duke thënë se ishte “konfirmim i detajuar për realitetin mizor, racizmit të thellë, përjashtimit, shtypjes dhe tentativës së shfarosjes që ka duruar populli i Palestinës”.
‘Aparteid’ quhet politika e ndarjes dhe diskriminimit me bazë racore që ushtrohej nga minoriteti i bardhë në Afrikën e Jugut kundër shumicës afrikane, nga viti 1948 deri në 1991.
Tre konventa madhore ndërkombëtare ndalojnë aparteidin, duke përfshirë dhe Konventën e vitit1973 për ‘Shtypjen dhe Dënimin e Krimit të Aparteidit’.
Konventa përkufizon aparteidin si “akte çnjerëzore të kryera me qëllim dominimin e një grupi racor njerëzish mbi një grup tjetër racor njerëzish dhe shtypjen sistematike të tyre”.
Vetëm 20% e popullatës së Izraelit prej 9.45 milionë njerwz janë arabë, shumica e të cilave e përkufizojnë veten si palestinezë.
2.9 milionë Palestinezë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, ky i fundit i pushtuar nga Izraeli pas luftës së vitit 1967.
1.9 milionë palestinezë jetojnë në Rripin e Gazës, nga i cili Izraeli është tërhequr në 2005 por OKB ende e konsideron të pushtuar.
Shumica e palestinezëve në Bregun Perëndimor qeverisen nga Autoriteti Palestinez, ndërsa ata në Gaza nga lëvizja militante palestineze Hamas.
Tashmë më shumë se 600,000 hebrenj jetojnë në kolonitë e reja të ndërtuara në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor, që komuniteti ndërkombëtar i konsideron ilegale.
Izraeli i refuzon pretendimet.
Zyrtarisht qytetarët e Izraelit kanë të drejta të barbarta pa dallim feje appo race, por në raportin e Amnesty International thuhet se Izraeli “i konsideron dhe i trajton palestinezët si një grup racor inferior, jo-hebre”.
“Ky veçim kryhet në një mënyrë sistematike dhe shumë të institucionalizuar me anë të ligjeve, praktikave dhe politikave që cilat kanë të gjitha si qëllim të ndalojnë të drejtat e palestinezëve në territorin e Izraelit dhe në territoret e pushtuara palestineze, pra kanë si qëllim shtypjen dhe dominimin e popullit palestinez”, thuhet në raport.
“Kjo kryhet me anë të krimeve të mohimit të të drejtës së rezidencës së refugjatëve palestinezë apo kthimin në shtëpitë e tyre.”
Numri i palestinezëve të zhvendosur nga lufta e krijimit të Izraelit në vitet 1948-49, arrin në 5.3 milionë, sipas OKB.
Raporti shton se “fragmentimi territorial” i popullatës së Palestinës “shërben si elementi kryesor i shtypjes dhe dominimit të regjimit.
Të tjera aspekte të politikave përfshijnë mohimin e kombësisë dhe rezidencës, kufizime të ashpra të lirisë së lëvizjes, sekuestrime diskriminuese dhe ndalim i aksesit në burimet natyrore.
Sekretarja e përgjithshme e Amnesty, Agnès Callamard tha: “Nuk ka justifikim tjetër të mundshëm për një sistem të krijuar mbi shtypjen raciste, të zgjatur e të institucionalizuar të miliona njerëzve”.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të përballet me realitetin e aparteidit të Izraelit, duke ndjekur rrugët e drejtësisë nderkombetare, të cilat në mënyrë të paturpshme mbeten ende të paeksploruara”, shtoi ajo. /BBC/
Top Channel