Kushtetusja rrëzon Metën për përjashtimin nga seanca të përfaqësuesve të Kuvendit

01/02/2022 14:01

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e përfaqësuesve ligjor të presidentit Ilir Meta të cilët kërkuan që përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë të mos jenë të pranishëm në seancë.

Trupa gjykuese vlerësoi se Kushtetuesja është vënë në lëvizje nga kryeparlamentari me datë 14 qershor të vitit të kaluar, kohë kur drejtohej nga Gramoz Ruçi kur është përcjellë vendimi nr.55 i Kuvendit.

Na rezulton se kryetari i Kuvendit ka autorizuar përfaqësuesit sipas ligjit. Pretendimet do te bëhen pjese e analizës dhe vendimmarrjes se gjykatës ne vendimin përfundimtar”, u tha në argumentet e gjykatës.

Këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj bëri një kërkesë të re paraprake që lidhej me përfaqësuesin e Kuvendit në seancë.

Gjatë fjalës së tij Dervishaj tha se “Legjislatura e Kuvendit ka mbaruar në shtator 2021 dhe ka filluar legjislatura e re. Presidenti e konsideron jolegjitime praninë e përfaqësuesve të Kuvendit”.

Sipas përfaqësuesit ligjor të Metës, tashmë është legjislaturë dhe përbërje e re në Kuvend.

Ndërkohë, pretendimit të Dervishajt iu përgjigj përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka, e cila theksoi se ky argument nuk qëndron.

Pretendimi nuk qëndron, pasi Kuvendi ka vijimësi. Vendimet e marra vijojnë. Një vendim i Kuvendit kurrsesi nuk behet nul se janë bërë zgjedhje te reja. Nëse vendimet e Kuvendeve te mëparshme bëhen nul, atëherë edhe Ilir Meta nuk është me president se duhej konfirmuar nga legjislatura e re”, tha ajo.

Top Channel