Vendet anëtare të NATO-s po dërgojnë me mijëra trupa, avionë luftarakë dhe anije tek aleatët e tyre në Evropën Lindore, mes tensioneve në rritje me Rusinë për shkak të dislokimit të më shumë se 100,000 trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Perëndimi i frikësohet një pushtimi të afërt rus, të cilin Kremlini e mohon. Ndonëse aleanca e ka bërë të qartë se ushtarët e saj nuk do të luftojnë përballë atyre rusë, duket se është e madhe frika e një shtrirje të konfliktit, çka do të rrezikonte edhe vetë anëtarët e aleancës.
Katër avionë luftarakë danezë F-16 zbarkuan në Lituani javën e kaluar me synim forcimin e misionit të patrullimit ajror të NATO-s në Baltik.
Që nga aneksimi me forcë i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, NATO ka dislokuar 4,000 deri 5,000 trupa në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Shtetet e Bashkuara kanë vënë në gatishmëri 8500 trupa.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se shumë shpejt do të dërgojë trupa amerikane në Evropën Lindore dhe vendet e NATO-s. Shtetet e Bashkuara kanë tashmë me dhjetëra mijëra trupa të vendosura në Evropë, kryesisht në Gjermani dhe Britani.
Sipas një skenari një pjesë e tyre të zhvendoseshin gradualisht drejt vendeve aleate lindore të NATO-s. Franca ka njoftuar planet për të dislokuar qindra trupa në Rumani.
Spanja, Holanda dhe Gjermania po shqyrtojnë gjithashtu dërgimin e trupave, avionëve dhe anijeve luftarake në vendet aleate të Evropës Lindore.
Britania sakaq ka furnizuar Ukrainën me rreth 2,000 raketa antitank dhe pritet dislokojë të tjera trupa këtë javë, duke dyfishuar potencialisht angazhimin e saj aktual prej rreth 1,150 trupash.
Top Channel