Pas arrestimit të Dardan Molliqajt, PSD ka reaguar me një komunikatë zyrtare.

Sipas tyre, arrestimi është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore.

Pas kësaj qëndron kryeministri Albin Kurti, theksohet në komunikatë, ku organet e drejtësisë janë vënë në shërbim të pushtetit të tij.

Komunikata e plotë nga PSD:

Dardan Molliqaj, Kryetari i PSD-së është arrestuar!

Para pak minutash në hapësirat e Televizionit T7 është arrestuar Dardan Molliqaj. Ai u arrestua lidhur me incidentit në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ftesat për intervistim, përkatësisht dorëzimi personal i tyre nga ana e Policisë së Kosovës nuk është realizuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zingjirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë. Arrestimi i tij është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë.

Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë. Ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Mirëpo, arrestimi, pa fletëarrest, u bë në hapësira të një televizioni. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhërarresti i policisë është duke u përpiluar.

Kjo tregon qartë që organet e drejtësisë, duke arrestuar në mënyrë të jashtëligjshme e skandaloze Dardan Molliqajn, është vënë në shërbim të pushtetit të Kurtit.

Ju sigurojmë se ne, Partia Socialdemokrate do i mbajmë përgjegjës dhe do ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore kundër të gjithë atyre që sonte abuzuan pushtetin e tyre për ta privuar nga liria Dardan Molliqaj. Arrestimi i panevojshëm i sotëm është i motivuar politikisht dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj veprimeve tona opozitare.

Ndërsa zëdhënësja e partisë, Natyra Kuçi tha se nuk kemi të bëjmë me goditje, por shtyrje nga ana e Molliqajt.

“Fillimisht, në xhirimin më poshtë shihet qartë që nuk kemi të bëjmë me goditje por shtyrje. Ky është fakt.

Së dyti, Dardani ka vazhduar aktivitetet e tij pa u ndalur për dy ditë rradhazi, si në zyre të PSD-së, si në kafene në takime me qytetarë. Së treti, dhe më e rëndësishmja, arrestimi i tij sot, pak para paraqitjes në Pressing, nuk është asgjë tjetër pos arrestim politik për ta heshtur Dardanin”, shkruan Kuçi.

Top Channel