Sergio Ramos mund të konsiderohet me të vërtetë i pafat.
Aventura e mbrojtësit në Paris nuk ka shkuar siç duhet për faktin se dëmtimet e kanë shoqëruar që në ditën e parë që ka shkelur në Francë. 35-vjeçari priti shumë muaj deri në rikuperimin e plotë, duke debutuar me PSG-në në 28 nëntor të vitit të shkuar, por tashmë duket se duhet të bëjë një tjetër ndalesë në infermieri.
Interesi ishte tepër i lartë për të parë mbrojtësin të përballej me ish-skuadrën e tij, Real Madrid, ku ai jo vetëm që mbajti për shumë vite shiritin e kapitenit dhe fitoi gjithçka, por ishte dhe një prej lojtarëve më të dashur për tifozët. Por, diçka e tillë duket e vështirë të ndodhë, së paku në ndeshjen e parë të Champions League mes PSG dhe Real Madrid.
Sergio Ramos ka pësuar një lëndim muskulor të shkallës së parë dhe do i duhet një periudhë dy javore pushimi për tu rikuperuar plotësisht, në mënyrë që të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për skuadrën – thuhet në njoftimin e klubit nga Parisi, duke sinjalizuar se në ndeshjen e 15 shkurtit vështirë se do të jetë pjesë e skuadrës.
Këtë sezon, Ramos është aktivizuar vetëm në 5 ndeshje, prej të cilave vetëm 2 të plota, ndërsa nuk ka mundur që të luajë më shumë se dy ndeshje radhazi, duke treguar se gjendja e tij fizike tashmë nuk është më e qëndrueshme, diçka që mund ta detyrojë të mendojë që ta mbyllë me futbollin, por vendimi do të jetë i gjithi i spanjollit.
Top Channel