E kanë quajtur “Autokolona e Lirisë”; kamionë të vënë në një rresht që dukej sikur nuk kishte fund, mbërritën nga British Columbia në Ottava të Kanadasë për t`u ndaluar përpara ndërtesës së parlamentit me një kërkesë të qartë: Jo vaksinimit të detyrueshëm!
Policia lokale tha se pret probleme të mëdha të trafikut e vonesa të ndjeshme në qarkullim.
Protestuesit kundër vaksinimit të detyrueshëm ndaj koronavirusit për shoferët e kamionëve që kalojnë kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, kanë bllokuar kryeqytetin kanadez për të dytën ditë me radhë. Mijëra vetë i janë bashkuar thirrjes së tyre në Otava.
Forcat e rendit në qytet thanë se kanë nisur hetime lidhur me “përdhosjen” e një numri monumentesh në kryeqytet si dhe për sjelljen kërcënuese ndaj policisë dhe punonjësve të qytetit.
Shoferët e kamionëve kanë bllokuar të gjitha rrugët që çojnë në ndërtesën e Parlamentit të Kanadasë. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau dhe familja e tij janë larguar nga Otava gjatë fundjavës, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Rreth 90 për qind e 120,000 shoferëve të kamionëve të Kanadasë janë të vaksinuar kundër koronavirusit.
Përveç thirrjes për anulim të kërkesës për imunizimin të detyrueshëm të shoferëve që kalojnë kufirin, në protesta është kërkuar që t’iu jepet fund të gjitha masave që lidhen me vaksinimin në këtë formë.
Qeveria liberale e Trudeas ka miratuar më 15 janar vendimin që u kërkon shoferëve të pavaksinuar të kamionëve që t’i nënshtrohen masës së karantinës sapo të hyjnë në Kanada.
Top Channel