6 marsi/ Berisha prezanton kandidatët për kryetarë bashkie: Nuk i zgjodha unë por anëtarët e thjeshtë!

31/01/2022 13:38

Ish kryeministri Sali Berisha ka prezantuar ditën e sotme gjashtë kandidatët fitues për kryetar bashkie që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Berisha tha se ata janë të votuar nga vetë demokratët, gjë që sipas tij, bën diferencën me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Sali Berisha: Asnjë nga këta zotërinjtë këtu nuk janë anëtarë të Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit. Këto primaret më demokratike të zhvilluara në ndonjë vend. Dita e djeshme shënoi aplikimin e një standardi të paparë, që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. U shënua shkëputja përfundimtare e PD nga praktikat jo transparente dhe të dyshimta, praktikat e errëta të përdorura në 8 vite nga Lulzim Brava dhe shënoi mbajtjen e një premtimi të bërë ndaj anëtarësisë. Të drejtën e anëtarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, në qeverinë vendore, në parlament, në drejtim të PD në degën e tyre por edhe kryeministrin e tyre! Gara e djeshme u zhvillua brenda standardeve më të mira të zgjedhjeve të lira.

Në këtë garë kanë marrë pjesë 21 kandidatura në rrethe, nga të cilat këtu kemi gjashtë fituesit e garës! Por, siç duhet falënderimin e parë do ju bëj të gjithë atyre anëtarëve që ushtruan të drejtën e votës dhe votuan për kandidatin që vlerësonin më të mirin. Ne do të bëjmë gjithçka në mbështetje të tyre që më datë 6 mars të jenë qytetarë të parë të bashkive në të cilat garojnë. Falënderoj ekipin, Komisionin e Rithemelimit, e procedurave zgjedhore për punën e madhe që bënë.

Top Channel