Oligarkët rusë në shënjestër/ Amerikanët të shqetësuar nga jetesa luksoze e tyre në Londër

30/01/2022 16:33

Thënia e ish-kryeministrit britanik të kohës së Luftës Neville Chamberlain, i kritikuar kur e cilësonte tentativën për aneksimin nga Gjermania naziste të ish-Çekosllovakisë në 1938 si një “zënkë në një vend të largët mes njerëzve për të cilët nuk dimë asgjë për ta”, duket se ka rimarrë një aktualitet të frikshëm në politikën britanike.

Oligarkët e Vladimir Putin nuk do të kenë ku të fshihen pas sanksioneve të ashpra britanike, madje armë britanike dhe fonde financiare mund të dërgohen në Ukrainë nëse Rusia e pushton, ka deklaruar këtë të diel ministrja e Jashtme britanike.

Ajo nuk përjashton as dërgimin e parave dhe armëve, ndërkohë që media shkruan se do të dyfishohen trupat britanike që do të dërgohen në vendet e Evropës Lindore në 2 mijë trupa, ndërkohë që shërbimet sekrete dhe trupat speciale janë duke trajnuar forcat ushtarake ukrainase.

Por ka qenë “The Times” e Londrës, e cila këto ditë ka cituar zyrtare amerikane që kanë shprehur shqetësimin për efektivitetin e sanksioneve ndaj Presidentit Putin, për shkak të tolerancës shumëvjeçare britanike ndaj parave ruse në Londër ose siç ata e cilësojnë “Londongrad”. Kryediplomatja britanike  duke njoftuar mundësinë e sanksioneve ruse javën e ardhshme deklaroi se sanksionet e ashpra mund të përfshijnë edhe sekuestrimin e pronave në Londër të oligarkëve ruse, të cilët kanë në pronësi edhe klube futbolli të Premiere League-s.

Një raport i Komitetit parlamentar britanik i vitit 2020 theksonte se Londra  prej kohësh përdorej si “lavatriçe” për parat e oligarkëve rusë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA