Allison Fluke-Ekren akuzohet se planifikonte sulme terroriste në kampet universitare apo në qendrat tregtare të SHBA.
Një ish-mësuese nga Kansas si rrallëherë është bërë udhëheqëse ushtarake e Shtetit Islamik, teksa u mësonte grave të tjera dhe fëmijëve si përdoren armët dhe bombat, thanë sot prokurorët në SHBA.
42 vjeçarja ishte akuzuar për zotërim materiali në mbështetje të terrorizmit edhe në vitin 2019 por vetëm tani po del para gjykatës së Virginia pas arrestimit në Siri.
Ajo akuzohet se ka drejtuar një batalion ushtarak të ISIS dhe ka planifikuar sulme terroriste në kampe universitare.
Gratë në SHBA përbëjnë rreth 10 perqind të atyre që akuzohen për bashkëpunim me Shtetin Islamik, por asnjë nga rastet e mëparshme nuk ka pasur një grua në një pozitë kaq të lartë në grup.
Shteti Islamik vendos kode rigoroze për gratë në radhët e tij, të cilat nisën të pranoheshin si luftëtare kur territoret e ISIS në Siri e Irak u sulmuan në 2016 e 2017.
“Fluke-Ekren i kthente besimet e saj ekstremiste në vepra duke drejtuar dhe organizuar një bartalion ushtarak të ISIS. Ajo stërviste gra e fëmijë në përdorimin e pushkëve AK-47, të granatave dhe ekzplozivëve vetëvrasës, në mbështetje të objektivave vrasëse të ISIS”, tha kryeprokurori Raj Parekh.
Sipas dokumenteve Fluke-Ekren u largua nga SHBA drejt Egjiptit në 2008.
Në 2011 ajo emigroi në Libi dhe më pas në Siri.
Autoritetet thonë se bashkëshorti i saj udhëtoi me të dhe u bë snajper i stërvitur i ISIS. Ai kishte vdekur me vone në një sulm ajror, të paspecifikuar në dokumente.
Në 2014 ajo hartoi një plan për të vendosur eksplozivë në një universitet të SHBA në kundërpërgjigje ndaj një sulmi ajror kundër militantëve.
Më pas Fluke-Ekren u martua me një ekspert dronësh, i cili dhe ai vdiq më vonë.
Bashkëshorti i saj i radhës do të ishte një lider i njohur ushtarak në Rtaka, kur dhe Fluke-Ekren u bë drejtuese e batalionit të femrave të ISIS.
Militantja stërviste gratë në arte marciale, në drejtimin e makinës dhe përdorimin e armëve e eksplozivëve. Dëshmitarët thonin se ajo fliste mirë arabisht, anglisht, spanjisht e turqisht.
Në 2018, sipas prokurorëve, ajo i kishte shpëtuar autoriteteve të SHBA duke dërguar një mesazh te familja e saj ku thuhej se kishte vdekur. Por prokurorët thonë se ajo kishte vendosur të vdiste si martire e ISIS.
Top Channel