Gjatë vizitës së saj në Bruksel, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, u ankua për faktin që Republika e Kosovës nuk lejon mbajtjen e referendumit të Serbisë.
“Ne folëm kryesisht mbi mohimin e bërë të drejtave themelore të serbëve në Kosovë, çka u pa fare mirë në 16 janar, kur atyre iu ndalua pjesëmarrja në referendum dhe votimi, e ky është një precedent i tmerrshëm”, tha Bërnabic për mediat serbe.
Kryeministrja serbe deklaroi më tej, se kur bëhet fjalë për zgjedhjet e prillit, ka marrë zotimin e BE-së se do të angazhohen sa të munden, që të mos përsëritet ajo çfarë ndodhi me referendumin.
Këtu, ajo përmendi faktin që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.
“Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet. Nuk duhet lejuar që serbëve t’iu mohohen të drejtat bazike për pjesëmarrje në zgjedhjet që Serbia do t’i mbajë”, ka thënë Bërnabiç.
Sipas saj, vendimi i Kurtit për të mos lejuar votimin e serbëve në referendum ka qenë një “hipokrizi”, duke qenë se ai vetë mori pjesë dhe votoi zgjedhjet e Shqipërisë.
Shefja e ekzekutivit serb përmendi edhe vazhdimin e dialogut, e sërish problemin e gjeti tek pala tjetër teksa i kërkoi BE-së të bindë Kosovën që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të jetë e gatshme për kompromis.
Top Channel