Banka e Shqipërisë pritet të ndryshojë kahun e politikës monetare nga lehtësuese në shtrënguese me rritje të normës së interesit për të përballuar efektet që mund të sjellë në ekonomi rritja e fortë e çmimeve.
Këtë e bëri të ditur Guvernatori Gent Sejko në një intervistë për Top Channel, sipas të cilit institucioni po monitoron me kujdes situatën dhe do të reagojë në varësi të inflacionit.
“Ne po ndjekim ecurinë e inflacionit. shifra e fundit e inflacionit ka qenë 3.7%. BSH po bën analizat e saj për të gjykuar mbi vendimmarrjen. Jemi në minimumin historik të normës së interesit 0.5% dhe në varësi të inflacionit do reagojmë, e kemi komunikuar. Do të shikojmë ecurinë e inflacionit dhe sigurisht ka ardhur koha dhe dukshëm nga niveli i rritjes së çmimeve që është një sfidë e fortë për ekonomitë që do të imponojnë ndryshimet e politikës monetare. Në vitet e ardhshme do të kemi një politikë monetare jo lehtësuese, por do fillojë të jetë shtrënguese në varësi të normës së inflacionit. Deri në gjysmën e parë të vitit mund të kemi një rikorrektim të inflacionit, por duhet parë pasi kur çmimet rriten vështirë të bie. Në varësi të shifrave do merret vendimmarrje.
Ekonomia ka nevojë për stimul dhe ne do vazhdojmë ta mbështesim. Norma e interesit këtë vit e sigurt që do të fillojë të rritet, se kur mund të ndodhë këtë nuk mund ta them pa analizën e shifrave dhe ekonomisë. Mëse e sigurt që politika e bankës së BSH do ndryshojë kahun, nga politikë lehtësuese do të fillojë gradualisht rritjen e normës së interesit siç kanë bërë gjithë bankar qendrore të botës”, u shpreh Sejko.
I pyetur për pritshmëritë e bankës qendrore për ecurinë e ekonomisë, guvernatori Sejko u shpreh optimist për një rritje të saj në nivelin deri në 4% këtë vit.
“Këtë vit rritja ekonomike mund të jetë në nivelet e 3.8-4%. Parashikojmë që edhe në afatmesëm ne do të vazhdojmë në një rritje ekonomike ndërmjet 3-4 %. Kjo do duket, por ekonomia i ka të gjitha mundësitë për të pasur një rritje, reformat strukturore duhet të vazhdojnë, lufta ndaj infromalitetit dhe të tjerat dhe të ecin në drejtimin e duhur dhe të kemi edhe një sezon të mbarë në verë që është shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare”, tha Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Sipas Guvernatorit Sejko, rritja e fortë e fortë e çmimeve dhe përhapja e varianteve të reja të Covid 19 shihen edhe si rreziqet kryesore të ekonomisë shqiptare këtë vit.
Top Channel