Shtëpitë ndahen me short/ Në Manzë po përfundon ndërtimi i 9 pallateve për të pastrehët e tërmetit

27/01/2022 15:41

Në Durrës është hedhur një tjetër short publik për familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kjo ishte faza e dytë e shorteut për shpërndarjen e apartamenteve në pallatet e lagjes së re të Manzës, ku do të strehohen 226 familje të dëmtuara nga tërmeti. Në bazë të numrit të anëtarëve të familjes, shumë prej tyre kanë përfituar apartamente me një sipërfaqe më të madhe se ajo që kanë pasur.

 “Kam pasur 1+1 dhe më ra 2+1 sepse kam dy fëmijë, sipas rregullave të vendosura. Më ra kati i parë. Jam i kënaqur. Shansi ky ishte. Nga fundi i shkurtit ndoshta na dorëzojnë çelësat, sa të bëhen dhe dokumentet, certifikatat, hipoteka”, tha qytetari.

“Më ka rënë hyrja 2+1. Jam shumë e kënaqur. Unë kisha 1+1. kam marrë një dhomë dhe një banjo më shumë. Është një kënaqësi shumë shumë e madhe që nuk di si ta shpreh”, tha gruaja.

“Shorti, shkoi çdo gjë mirë. Nuk e prisja po short është dhe jam i kënaqur. Nga fundi i marsit mund të futemi në shtëpi. Unë jetoj në Itali, por banesa është prish dhe kur vij jetoj me qira”, tha një tjetër qytetar.

Zona e re për zhvillim në Manëz është drejt fundit. 9 pallate të reja janë në përfundim e sipër, ndërsa 72 familjet e para që do të strehohen muajin e ardhshëm në to kanë lidhur edhe kontratat me bashkinë.

Përveç strehimit, kjo lagje e re do të ofrojë dhe infrastrukturën e nevojshme për një jetesë cilësore në komunitet.

Që nga tërmeti i vitit 2019, janë rreth 5000 familje që janë rikthyer në shtëpitë e rehabilituara, 300 prej të cilëve kanë hyrë në shtëpi të ndërtuara nga e para.

Top Channel