Përgënjeshtruesit e koronavirusit dhe ekstremistë të djathtë organizohen përmes shërbimit messenger, Telegram, menaxhuesit e të cilit është e vështirë të kontaktohen prej autoriteteve. Por tani do të veprohet ndaj tyre.
Duke u nisur nga nxitja dhe thirrjet për dhunë në grupet chat përmes rrjetit Telegram, Enti Federal i Kriminialistikës në Gjermani, BKA, ka vënë në shënjestër shërbimin e komunikimit Telegram.”Veçanërisht pandemia e koronavirusit ka bërë, që njerëzit të radikalizohen në platformën Telegram, duke kërcënuar e madje edhe duke publikuar kërcënime për vrasje”, deklaroi presidenti i BKA-së Holger Münch në Wiesbaden.
Për zbardhjen e veprave të tilla penale BKA ka ngritur një task-forcë, sikurse njoftoi ky ent. “Qëllimi është të identifikohen të dyshuarit dhe të ndiqen penalisht.” Kjo ndodh në koordinim të ngushtë me autoritetet e policisë dhe landet federale si dhe me Qendrën për Luftën kundër Kriminalitetit të Internet pranë Prokurorit të Përgjithshëm në Frankfurt mbi Main.
Përveç kësaj në të ardhmen në rastet e kriminalitetit me motive politike do të vrojtohet me kujdes, se sa mirë bashkëpunon Telegram ndaj „kërkesave për shuarjen e postimeve problematike” dhe kërkesave për të dhënat e grumbulluara, vuri në dukje BKA. “Ne synojmë të bashkëpunojmë me Telegram, por do të marrim edhe masa në rast se Telegram nuk do të bashkëpunojë”, deklaroi Münch.
Top Channel