Emri i lumit Vjosa pritet të shfaqet në një nga veshjet që do paraqiten në javën e modës në New York në mesin e muajit shkurt.
Stilisti i njohur Christopher Raxxy i vendosi emrin Vjosa krijimit të tij pas lobimit të Elton Ilirjanit, biznesmeni dhe aktivistit të të drejtave të njeriut, në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e lumit Vjosa. Një kauzë e cila tanimë është përhapur dhe ndërkombëtarisht falë mbështetjes së vazhdueshme të aktorit hollivudian, Leonardo Di Caprio.
Në një postim në profilin e tij Instagram, biznesmeni shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkruan se kjo veshje shumëngjyrëshe do të përdoret për të rritur ndërgjegjësimin që Vjosa të shpallet park kombëtar. Ilirjani e ka veshur vetë veshjen shumëngjyrëshe dhe shkruan se: “Kjo kryevepër është po aq e bukur sa Vjosa! Të gjitha ngjyrat e Vjosës”, shkruan ai në postimin e tij duke etiketuar dhe aktorin hollivudian Leonardo Di Caprio.
Prej disa kohësh tanimë, Di Caprio dhe nga shoqëria civile së bashku me angazhimin e ambientalistëve kanë bërë thirrje për mbrojtjen e zonës duke i dhënë statusin e Parkut Kombëtar.
Burimi kryesor i lumit Vjosa është në malet e Pindit që rrjedh për 70 kilometra, nga 270 kilometra gjithsej, krahas territorit grek dhe më pas kalon përmes Shqipërisë dhe derdhet në detin Adriatik, në veri të Lagunës së Nartës, dhe përmendet gjerësisht si lumi i fundit i egër i Evropës.
Një pjesë e madhe e habitatit të saj ka ende shumë për t’u eksploruar. Në një ekspeditë një javore gjatë vitit 2017, shkencëtarët zbuluan aty mbi 300 lloje speciesh, disa prej të cilave endemike. Ekspertët besojnë se këto specie do të rrezikohen nga projektet e planifikuara nga autoritetet shqiptare.
Top Channel