Top Story/ Kontrata/ Pse Albpetrol ka përfituar sasi të pakonsiderushme nafte nga Bankers?

26/01/2022 23:27

Kontrata parashikon që për çdo efeket negativ të lindur gjatë periudhës për kompaninë, marrëveshja të amendohet për rekuperimin e efekteve negative.

Prandaj me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama, e cila ndryshoi kuadrin fiskal duke shtuar tre taksa te karburantet si atë të Akcizës, Qarkullimit dhe Karbonit, u bë dhe ndryshimi te kontrata me Bankers për rikuperimin 100% të taksave. Kontrata parashikon që Bankers të kryejë tendera vetëm për vlera mbi 2 mln dollar, për vlera nën këtë shifër i zgjedh vetë nënkontraktorët, pa garë.

“Do të thotë që ka elementë të tjerë që lidhen me menaxhimin financiar, që lidhen me nënkontraktorët, të cilët në rastin e Shqipërisë vëzhgime të ndryshme tregojnë që kanë qenë përzgjedhur nën influenca politike dhe fitimet e tyre janë shumë të larta në krahasim me humbjen në thonjëza që rezulton nga kompania bazë” u shpreh Zef Preçi, ekspert ekonomie.

“Fakti që qeveritë mbrojnë interesat e kompanive private dhe jo të qytetarëve dhe këtë shpeshherë e bëjnë në mënyrë okulte, do të thotë që sistemi ybë ekonomik dhe politik është i pabalancuar, pra interesat nuk janë të balancuara, ky anësim i qeverisë e diskretiton rolin e qeverisë në një sistem demokratik. Minon rrënjësisht dhe thellësisht besimin e shoqërisë te sistemi demokratik” u shpreh Selami Xhepa, ekspert ekonomie
Marrëveshja mes Bankers dhe Albpetrol është një marrëveshje hidrokarbure dhe bëhet me ndarje prodhimi sipas një formule të caktuar e cila është thembra e akilit të abuzimit prej të cilës sot e kësaj dite shteti shqiptar merr zero tatimfitim nga kjo kompani që prej gati dy dekadash.

Teksa shqiptarëve, nafta që përdorin për transport u vishet me shtatë taksa. “Shteti shqiptar ka marrë prej Bankers deri tani vetëm naftën që është gjendur aty në momentin që Bankers i ka marrë puset në dorëzim. Përveç asaj marrëveshja parashikon që në momentin që niveli i të ardhurave që Bankers do të realizonte, do të barazonte nivelin e investimeve, atëherë fitimin që do të vinte mandej do ta ndante 50 me 50 me shtetin shqiptar.

Fatkeqësisht kjo situatë nuk ka arritur asnjëherë. Faktori R i famshëm që konsiderohet në kontratë nuk është realizuar. Gjithmonë shpenzimet i tejkalojnë të ardhurat. Të jem i sinqertë me aq njohuri sa kam, nuk besoj se do të realizohet ndonjëherë”u shpreh Besian Pesha, Ish Drejtues i AKBN
Albpetrol ndër vite ka prodhuar historikisht sasira të konsiderueshme të naftës, 200 mijë ton në rastet më të ulta deri në 2,2 mln naftë bruto në vit. Dhe në kohën e lidhjes së kësaj kontrate, Albpetrol ka qenë me mbi 300 mijë ton naftë në vit. Pjesa e prodhimit të Patos Marinzës është pjesa kryesore e prodhimit të Albpetrolit.

“Logjika ta dikton mbi parimin themelor të marrëveshjes hidrokarbure, Albpetrol duhet të kishte vazhduar të merrte këtë sasi nafte bruto që e prodhonte më parë. Po ashtu ALbpetroli do të duhej të merrte edhe sasinë shtesë që vinte nga prodhimi i puseve nga investimet. Dhe marrëveshja për këtë gjë është nënshkruar. Pra që të mundsësojë investimet në puset e naftës dhe të rrisë prodhimet e naftës në to” u shpreh eksperti ekonomisë Ilir Ciko .

“Këtë e shoh tepër shqetësuese dhe nuk dimë arsyet pse një gjë e tillë ka ndodhur. Teknikisht nuk mendoj që ka një arsye që të justifikojë që puset e naftës që kanë qenë në zotërim të Albpetrol në kohën e lidhjes së marrëveshjes kanë pasur një rënie kaq drastike të prodhimit të tyre në vite për të bërë të mundur të biem në këto nivele që janë fare, fare minimale” u shpreh eksperti ekonomisë Ilir Ciko
Kompania Bankers ka pasur gjithmonë fitim jo fiskal të deklaruar. Ajo ka qenë e listuar në bursë dhe ka rezultuar me rritje aksionesh të konsiderueshme.

Ndërkohë që gjithmonë ka deklaruar humbje fiskale. Bankers thotë që gjithçka e riinveston te puset dhe nuk i mbetet asgjë për tu tatuar.

Top Channel