Patos Marinza është një fushë naftëmbajtëse në Shqipëri e cila ndodhet 10 km në lindje të qytetit të Fierit i cili është një qytet në jug të Shqipërisë në kufi me Vlorën.
Ky pellg naftëmbajtës është zbuluar më 1928 dhe është fusha më e madhe e naftës në tokë në Europën Kontinentale dhe po ashtu në Shqipëri. Ajo përbën 85% të rezervave të nëntokës shqiptare.
Në vitet e para të 1990-ës pas rënies së komunizmit dhe ndryshimit të sistemeve pothuajse ndaloi çdo industri në funksion asokohe. Qeveria e Aleksandër Meksit në pushtet do të niste të liberalizonte tregun. Në sektorin e naftës do të kryheshin bisedime me kompani të huaja të cilat kishin shfaqur interes për të investuar në Shqipëri.
Në ato vite nuk kishte një kuadër ligjor për bashkëpunimin me kompanitë e huaja në fushën e hidrokarbureve sepse ekonomia sapo kishte ndryshuar natyrën e vetë, asisoj nuk kishte edhe eksperiencë.
Historikisht, Albpetrol Sh.A ka qenë operatori i vetëm i fushave naftëmbajtëse të Patos Marinzës.
Pas ndërtimit të kuadrit ligjor dhe interesave për biznes në industrinë e naftës, kompania angleze e quajtur Premier Oil do të hynte në negociata me Qeverinë Shqiptare në vitin 1993. Marrëveshja do të lidhej më 1994.
Si rezultat i bisedimeve dhe marrëveshjes, u krijua Anglo-Albanian Petroleum Ltd., një ndërmarrje e përbashkët e Albpetrol dhe Premier Oil që do të punonte në një pjesë të fushës naftëmbajtëse. Drejtori i kompanisë së përbashkët ishte Richard Wadsworth.
Kompania e përbashkët Anglo-Albanian Petroleum Ltd do të shkrihej në mars 2004 dhe Albpetrol rinisi të operojë i vetëm në Patos Marinzë.
Në korrik 2004, Saxon International Energy Limited, një kompani e regjistruar në ishujt Cayman në 15 prill 2004, vetëm dy javë pasi britanikët e Premier Oil ishin tërhequr zyrtarisht nga Patos Marinza dhe pa eksperiencë në industrinë e naftës, shfaq interes në fushën e pasur me naftë të Patos Marinzës në Shqipëri.
Saxon hyn në një Marrëveshje Hidrokarbure me shtetin shqiptar më datë 19 qershor 2004 dhe bëhet pjesë e një marrëveshjeje licensimi ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të Shqipërisë dhe Albpetrolit më datë 7 korrik 2004 dhe më 16 korrik 2004 bëhet aprovimi nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë.
Top Channel