Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u zotuan të mërkurën se do të luftojnë rritjen e antisemitizmit dhe mohimit të Holokaustit të dëshmuar gjatë pandemisë së koronavirusit, në prag të përkujtimeve vjetore të çlirimit të Aushvicit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se mësimet e Holokaustit tani janë “më të rëndësishme se kurrë”.
“Së pari, sepse hebrenjtë ndihen të kërcënuar dhe ata janë të kërcënuar. Ata sulmohen edhe në Evropë. Vetëm sepse janë hebrenj. Ne nuk e pranojmë këtë. Nuk do ta pranojmë kurrë”, tha ai.
Michel foli në një ngjarje online të organizuar nga Kongresi Hebre Evropian, ku morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Komisioni Evropian prezantoi vitin e kaluar një strategji të re për të trajtuar më mirë gjuhën e urrejtjes, për të rritur ndërgjegjësimin për jetën e hebrenjve, për të mbrojtur vendet e adhurimit dhe për të siguruar që Holokausti të mos harrohet.
Sipas Agjencisë Evropiane për të Drejtat Themelore, nëntë nga 10 hebrenj mendojnë se antisemitizmi është rritur në vendin e tyre dhe është një problem serioz.
Me qarkullimin e gjerë të informacionit të rremë në lidhje me Holokaustin në internet, Presidenti i Kongresit Hebre Evropian, Moshe Kantor përmendi sasinë e madhe të kohës së kaluar në internet gjatë pandemisë së koronavirusit si një nga arsyet për rritjen e antisemitizmit.
Ai u kërkoi udhëheqësve të BE-së të rrisin përpjekjet e tyre për t’u lidhur me të rinjtë evropianë për t’i bërë ata më të vetëdijshëm për Holokaustin.
“Ne duhet të kuptojmë më mirë shqetësimet dhe aspiratat e tyre dhe të flasim me ta në gjuhën e tyre,” tha ai.
“Ka pasur një cunami gënjeshtrash për hebrenjtë, Izraelin dhe Holokaustin gjatë dy viteve të fundit, kështu që ne duhet të krijojmë strategji të reja për të arritur tek ata që po e konsumojnë këtë informacion në mënyrë të pafajshme.”, shtoi ai.
Me Francën që mban presidencën e rradhës të BE-së, Ceremonia e Kongresit Hebre, e fokusuar në Holokaustin, është në Francë, në 80-vjetorin e grumbullimit të Velodrome d’Hiver, një arrestim masiv i hebrenjve nga policia franceze në Paris në vitin 1942.
Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se ai ka ndërmarrë veprime për të shpërbërë grupet që promovojnë urrejtje dhe shprehin keqardhjen që “falsifikimet e historisë janë kthyer”.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë përkujtime të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit të enjten do të mbahen sërish online këtë vit.
Megjithatë, një ceremoni e vogël do të zhvillohet në vendin e ish-kampit të vdekjes në Aushvic, ku forcat gjermane naziste të Luftës së Dytë Botërore vranë 1.1 milionë njerëz në Poloninë e pushtuar.
Vendi përkujtimor u mbyll më herët gjatë pandemisë, por u rihap në qershor.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë në nëntor të vitit 2005 duke vendosur përkujtimin vjetor dhe zgjodhi 27 janarin, ditën kur Aushvic-Birkenau u çlirua nga trupat sovjetike në vitin 1945.
Në total, rreth 6 milionë hebrenj evropianë dhe miliona njerëz të tjerë u vranë nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë Holokaustit. Rreth 1.5 milionë ishin fëmijë./REL/
Top Channel