“Klevis Balliu dënohet me 80 orë punë në interes publik”, reagon Meta: Autoritetet të urdhërojnë të mbjellë mimoza te parku i Pallatit të Brigadave

26/01/2022 21:18

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për një lajm të transmetuar nga Top Channel për politikanin Klevis Balliu, i cili ka dhjetëra procese të hapura në gjykatë. Për një prej protestave në Unazën e re është dënuar me 80 orë punë në interes publik.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Meta thotë me ironi “se sukseset e reformës janë bërë të prekshme me qytetarët.” Nga ana tjetër u shpreh se ka një lutje për autoritetet që të urdhërojnë që Balliu të shërbejë për të mbjellë mimoza të parku i Pallatit të Brigadave.

Postimi i plotë

Po ndaj një lajm të mrekullueshëm me ju miq!
Më në fund sukseset e Reformës së shumëpritur janë bërë të prekshme për qytetarët!
Z.Klevis Fahri Balliu u dënua me 80 orë punë në interes të publikut pse mbrojti të drejtat e banorëve të Unazës.

Një lutje kam për autoritetet nëse mund të urdhërojnë, që në këto 80 orë të shërbejë për të mbjellë mimoza te parku i Pallatit të Brigadave meqënëse po afron edhe 2 Marsi.
Mirëkuptohemi gjithmonë nëse nuk ka ndonjë plan për komplekse kullash lirie edhe atje pas 24 Korrikut.
Ky është rasti kur oligarkët të dënojnë dy herë.

Së pari të përjashtojnë nga kandidimi dhe së dyti përmes “drejtësisë të pavarur”.
Dhjetëra akuza e procese gjyqësore ndaj Klevis Fahri Balliut në tre vite.

Urojmë të mos e marrë vesh Il Cavaliere se do mërzitet shumë pasi ai ka mbi 40 vite procese dhe del në vend të dytë nga një 30 vjeçar.

Kam edhe një pyetje: Ata që firmosën aferën e Unazës a janë dënuar?

Top Channel