Deputeti socialist, Erion Braçe këtë të mërkurë e ka konsideruar akuzën e Presidentit të Republikës Ilir Meta ndaj anëtarës së Gjykatës së Lartë, Fiona Papajorgji, si sulm politik dhe kriminal.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Braçe shkruan se sulmi mbi Gjykatën Kushtetuese është i vjetër, politik, kriminal dhe berishist si filozofi.
Për deputetin socialist sulme të tilla politike po vazhdojnë prej 30 vitesh në Shqipëri nga politikanë që s’duan të jenë të barabartë me çdo shqiptar, por të privilegjuar, të pa hetuar e të pagjykuar gjithë jetën. Sipas tij, këto sulme, reflektojnë edhe padijen e frikshme të tyre, duke shtuar më tej se shteti shqiptar nuk ka pasur kurrë kaq padituri dhe ligësi në krye të tij.
Duke iu referuar Kushtetutës së Republikës, Braçe thotë se neni 124 i saj, tregon se Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe askujt tjetër, qoftë ai, president, kryeministër, deputet etj.
Ai tregon më tej se neni 126 i saj është edhe më i qartë, i cili thekson se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose në keqbesim.
“Pra vetëm në këto dy raste dhe në asnjë rast tjetër.
Neni 128 i KUSHTETUTËS është i qartë fare:
Pra;
Procesi disiplinor ndaj një gjyqtari kushtetues, konstatohet e zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese.
Nga askush e kërkund tjetër!
Vendimi për pezullimin apo shkarkimin e gjyqtarit kushtetues e merr Gjykata Kushtetuese.
Askush tjetër!
Ndaj sulmi sotëm është shantazh kriminal ndaj Gjykatës Kushtetuese, krim penal dhe i përsëritur!”, thotë ai.
Presidenti i Republikës Ilir Meta kërkon hetimin për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgj, të cilën e akuzon se ka konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike në shqyrtimin e çëshjes për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, 2019.
Presidenti nënvizon se nuk ka pasur hedhje shorti për zgjedhjen e relatores së çështjes, si dhe janë kryer shkelje tek zbatimi i procedurave për marrjen në shqyrtim të çështjes.
Kreu i shtetit thotë se nuk është konsideruar as Opinioni i Venecias.
Ai thotë se nga hetimi që do të kryejë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, mund të rezultojë që anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese, të kenë shkelur ligjin në këtë çështje.
Në dhjetor të 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për t’i shpallur zgjedhjet e kaluara lokale si antikushtetuese, pasi kërkesa e Shoqatës së Bashkive nuk është legjitime dhe se nuk ka të drejtë të vërë në lëvizje këtë gjykatë.
Top Channel