Zgjedhjet në FSHF, Veliaj kallëzon Ilir Shulkun dhe Ardian Haçin për falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre: Paracaktuan rezultatin për interes të Armando Dukës

25/01/2022 12:28

Siç premtoi dje në mbledhjen me Presidentët e Shoqatave Rajonale të Tiranës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj paditi sot për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe rrjetit kompjuterik drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në cilësinë e aksionerit te Klubit të Futbollit Tirana, Veliaj akuzon Ilir Shulkun, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatë Shqiptare të Futbollit dhe Ardian Haçin, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, se kanë manipuluar në bashkëpunim zgjedhjet për Kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës.

“Në ambientin ku ishte planifikuar të zhvillohej mbledhja kanë qenë prezent 67 anëtarë nga 41 që duhet të jenë, ku 24 anëtarë kanë qenë persona anonim (delegatë jo-legjitim) të përzgjedhur në mënyrë të kundraligjshme nga përfaqësues të FSHF-së, me qëllim ndikimin në procesin e zgjedhjes së Kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, duke paracaktuar rezultatin”, thuhet në kallëzimin drejtuar Gjykatës së Tiranës dhe Policisë së Shtetit.

Veliaj rendit një sërë shkeljes, teksa thekson se ato janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të zgjedhjes së Kreut të Shoqatës së Futbollit të Tiranës, sipas interesave klienteliste të kreut aktual të FSHF-së.

“Në listën jo të plotë dhe të manipuluar, të vënë në dispozicion para pak kohësh, anëtarëve të shoqatës me justifikimin për thirrjen e mbledhjes së delegatëve. Ka informacione që në mbledhjen e datës 24.01.2022 të orës 15 të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me telefon nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku është kërkuar e kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk kanë asnjë lloj lidhje me shoqatën në kundërshtim të plotë me statutin e federatës që përcakton që delegatët duhet të jenë punonnjës të anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë”, thekson Veliaj.

Ai nënvizon se Komisioni i Verifikimit nuk ka bërë identifikimin e plotë të delegatëve me të drejtë vote, si dhe lista përkatëse e delegatëve legjitim nuk i është vënë në dispozicion kandidatëve paraprakisht. “Zhvillimi i mbledhjes mbi kuorumin e nevojshëm, me pjesëmarrjen e 67 anëtarëve nga 41 që duhet të jenë, ku 24 anëtarët prezent kanë qënë persona anonim (delegate jo-legjitim). Në këto kushte çmojmë së janë përdorur lista fiktive votuesish, duke falsifikuar nënshkrimet e delegatëve legjitim me të drejtë vote, të cilët kanë kërkuar thirrjen e mbledhjes. Njoftimet e anëtarëve te Shoqates Rajonale të Futbollit Tiranë janë njoftuar nëpërmjet një emaili i cili nuk administrohet nga anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, por sipas informacioneve, këto emaile janë hapur nga punonjës të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe administrohet po nga ata. Duke futur në këtë mënyrë apo hequr të dhena në mënyrë të paautorizuar nga sistemi elektronik nën administrimin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me pasojë pavlefshmërinë e njoftimeve dhe vendimeve të kësaj shoqate”, nënvizon Veliaj.

Ndodhur para këtij fakti, Kryebashkiaku Veliaj kërkon kryerjen e një hetimi të plotë nga organi i akuzës, në lidhje me identifikimin e plotë të listës së delegatëve pjesëmarrës në mbledhjen e zhvilluar me datë 24.01.2022, për zgjedhjen e Kreut të Shoqatës së Futbollit të Tiranës si dhe sekuestrimin e provave.

“Kërkojmë në mënyrë të menjëhershme sekuestrimin e gjithë dokumentacionit të hartuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë, si dhe të gjithë serverat e këtyre dy institucioneve me qëllim sigurimin e provave për faktet penale të referuar dhe ndalimin e vijimit të shkeljeve të mëtejshme që do sjellin si pasojë deformimin kriminal të vullnetit të anëtarëve të këtyre OJF-ve. Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme dhe ndjekjen penale të shtetasit Ilir shulku dhe Ardian Haçi, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, si personat përgjegjës për administrimin e dokumentacioni elektronik dhe fizik të institucioneve që përfaqësojnë”, thuhet në padi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA