Dita e parë e vizitës zyrtare të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Bullgari ka përfunduar.

Siç njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut, pjesa e punës e vizitës zyrtare fillon nesër me seancën plenare ndërqeveritare midis dy vendeve fqinje, e cila do të bashkë-kryesohet nga kryeministri Kovaçevski dhe homologu i tij bullgar, Kiril Petkov.

Në rend të ditës është paraparë takimi ballë për ballë midis dy kryeministrave dhe takimi midis kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe homologes së tij, Teodora Gençovska, sipaas Anadolu Agency.

Pjesa e punës e seancës së përbashkët të dy qeverive mbyllet me konferencën për media të kryeministrave Kovaçevski dhe Petkov, ku do t’i njoftojnë rezultatet e seancës ndërqeveritare.

Kryeministri Kovaçevski pasditen e nesërme po ashtu do të zhvillojë takime me presidentin bullgar, Rumen Radev dhe kryeparlamentarin Nikolla Minçev.

Në fillim të javës së kaluar, Petkov qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup, ku u prit në takim nga Kovaçevski. Në konferencën e përbashkët për media, kryeministri bullgar paralajmëroi “dimanikë më intensive për zgjidhjen e çështjeve të hapura” midis dy vendeve fqinje.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por mbetet i pazgjidhur kontesti mbi historinë e përbashkët të dy vendeve. Bullgaria nuk e miraton kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE ), sepse ajo nuk pasqyron kërkesat bullgare për gjuhën maqedonase dhe pakicën maqedonase.

Kujtojmë se në mars të vitit 2020, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Qeveria e koalicionit e ish-kryeministrit bullgar, Boyko Borisov, i dorëzoi BE-së një dokument ku theksohen kushtet që duhet të përmbushë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pas çka më vonë, në nëntor të vitit 2020, Bullgaria vuri veto ndaj negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Top Channel