Ditët e fundit, përpjekjet e NATO-s dhe vendeve anëtare të saj për të kundërshtuar një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, janë përshpejtuar dhe intensifikuar.
Nga kërcënimet për vendosjen e sanksioneve ekonomike shumë të rënda për Rusinë tani është kaluar në diçka më serioze, angazhimin e trupave ushtarake. Megjithëse rruga diplomatike mbetet ende e hapur, situata në Ukrainë bëhet gjithnjë e më e tensionuar dhe akoma më e vështirë për t’u zgjidhur.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk duket i gatshëm për momentin të tërheqë 100 mijë trupat e grumbulluara në kufirin me Ukrainën dhe po në të njëjtën kohë NATO ka përjashtuar mundësinë për të kufizuar praninë e trupave të saj në Evropën Lindore, duke e konsideruar kërkesën e rusëve si të papranueshme.
Një nga shenjat më të rëndësishme të këtij angazhimi ushtarak erdhi nga njoftimi i qeverisë amerikane se kishte vënë në “gjendje gatishmërie” 8500 ushtarë, të cilët së shpejti do të vendoseshin në Evropën Lindore për të kundërshtuar agresionin rus.
Ky vendim u përshkrua nga Nju Jork Times si një “ndryshim i madh” për administratën Biden, e cila deri më tani ka mbajtur një qëndrim shumë të kujdesshëm për krizën ukrainase me qëllim shmangien e provokimeve të qeverisë ruse.
“Gjendje e gatishmërisë” do të thotë që në rast nevoje 8500 ushtarët mund të transferohen dhe aktivizohen shumë shpejt. Disa nga këta ushtarë mund të dërgohen në vendet e NATO-s në Evropën Lindore, si Polonia dhe Rumania, ku kërkohen njësi ushtarake me funksione dhe aftësi specifike, pala tjetër, shumica e trupave, mund të forcojë Forcën e Reagimit të NATO-s (NRF), një forcë kjo shumëkombëshe e NATO-s që përbëhet nga 40.000 ushtarë dhe që është në gatishmëri në rast emergjence.
Ky është një detaj i rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara, duan të tregojnë se nuk duan të veprojnë në mënyrë të njëanshmë kundër Rusisë, por që do t’i përgjigjen së bashku me aleatët e saj.
Presidenti amerikan foli të hënën në një video-konferencë me disa liderë evropianë, duke njoftuar në fund të takimit një “unanimitet të plotë” me aleatët e tij. Në takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri italian Mario Draghi, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda dhe kryeministri britanik, Boris Johnson.
Pavarësisht “unanimitetit të plotë” të shpallur nga Biden dhe frazave të tjera që kujtojnë unitetin e aleancës të shprehura nga qeveritë e pranishme në takim, përshtypja është se NATO vazhdon ende të luftojë për të gjetur një marrëveshje të vërtetë se si do t’i përgjigjet Rusisë, si para ashtu edhe pas fillimit të një pushtimi të mundshëm.
Ndarjet brenda aleancës, megjithëse pjesërisht fiziologjike kur bëhet fjalë për marrëveshje kaq të gjera që përfshijnë përdorimin e forcës, ishin shfaqur tashmë që javën e kaluar, veçanërisht pas disa fjalive të diskutueshme të shprehura nga Biden.
Presidenti amerikan kishte deklaruar se një “sulm i vogël” i Rusisë në Ukrainë, do t’i çonte Shtetet e Bashkuara në “kontradiktë” me aleatët evropianë në lidhje me vendimin që do merrej për t’iu përgjigjur rusëve. Në të vërtetë, Rusia ka shumë opsione se si mund t’i shkaktojë dëme qeverisë ukrainase, duke filluar nga një sulm i gjerë kibernetik (si ai që rusët mund të kenë kryer në mesin e janarit) deri në një pushtim të vendit.
Kjo nuk është hera e parë që NATO ndahet për Ukrainën. Në takimin e së hënës u fol edhe për furnizimin me armë për ushtrinë ukrainase; një temë kjo që ka përçarë gjithmonë aleancën, ku disa vende si SHBA-të dhe Britania e Madhe, mbështesin furnizimin me armë të ushtrisë ukrainase, ndërsa vende të tjera si Gjermania janë kundër.
Megjithëse NATO duket se ka ngecur, disa vende kanë dërguar ose kanë njoftuar dërgimin e trupave ushtarake për të forcuar kufirin lindor të aleancës. Danimarka, p.sh, tha se kishte dërguar një anije luftarake në Detin Baltik, duke njoftuar se ka dërguar katër avionë F-16 në Lituani. Spanja, po dërgon gjithashtu një anije luftarake për t’u bashkuar me forcat e NATO-s në Mesdhe dhe Detin e Zi dhe po shqyrton gjithashtu mundësinë për dërgimin e avionëve luftarakë në Bullgari. Holanda do të vendosë dy avionë F-35 në Bullgari, ndërsa Franca tha se do të dërgonte ushtarë në Rumani në rast të ndonjë nevoje.
Edhe pse rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës është ende e hapur, prania e 100 mijë ushtarëve rus në kufirin me Ukrainën dhe lëvizjet e fundit të NATO-s e kanë komplikuar jashtëzakonisht situatën.
Sipas Andrew Roth, gazetar dhe korrespondent i The Guardian në Moskë tani është bërë jashtëzakonisht e vështirë për qeverinë ruse të tërheqë trupat e saj dhe kjo veçanërisht pas njoftimeve të fundit të NATO-s për dërgimin e trupave ushtarake në kufirin lindor.
Një lëvizje e tillë për Putin do të thotë “turpërim” si para kundërshtarëve të tij, por edhe përballë zgjedhësve të tij.
Roth mendon se Putin nuk do të tërhiqet dhe sipas të gjitha gjasave prania e një numri kaq të madh trupash ushtarake në kufirin ukrainas, i konsideruar si një veprim unik dhe i jashtëzakonshëm, ka shtyrë shumë analistë të mendojnë se presidenti rus është më të vërtetë në kërkim të një lufte, me synimin për të larguar NATO-n.
Në të njëjtën kohë, shtoi Roth, qeveritë perëndimore po tregojnë se po e marrin shumë seriozisht mundësinë e një lufte, si duke kërcënuar me sanksione të ashpra, por edhe duke nisur evakuimin e familjeve të diplomatëve të huaj në Ukrainë.
Top Channel